Agjencia për ushqim e RMV-së tërhoqi nga tregu kube supe “Podravka”, qytetarëve iu kërkohet t’i kthejnë ose asgjësojnë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur një procedurë urgjente për tërheqjen nga tregu të kubeve të supës potencialisht të pasigurta nga Kroacia, për shkak të pranisë së mundshme të një “trupi të huaj”, transmeton Portalb.mk.
Agjencia sqaron se bëhet fjalë për kubin e supës së viçit të prodhuesit “Podravka”, nga seria 0507241, me afat kohor prej 05.07.2025, dhe një kub supë pule të serisë 0307241, me afat ruajtje 07. 03.2025.
AUV ka marrë dje njoftim për produkte potencialisht të pasigurta që janë importuar në vend në orët e vona të pasdites përmes Sistemit të Sinjalizimeve të Shpejtë për ushqime të pasigurta dhe ushqime të kafshëve të BE-së.
Vendi raportues është Republika e Kroacisë, ku produktet e treguara janë tërhequr nga qarkullimi.
“U bëjmë thirrje konsumatorëve që kanë blerë produktet e treguara me këta numra që të mos i përdorin, ose t’i kthejnë në vendin ku janë blerë ose t’i asgjësojnë në mënyrë të sigurt”, thonë nga AUV.
Kujtojmë se në mars të këtij viti, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) tërhoqi nga dyqanet 37 gramë çokollatë “Milka Oreo” për shkak të pranisë së copave të plastikës.