Ageler takoi prokurorin publik të RMV-së Kocevskin

Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljupço Kocevski, sot takoi ambasadoren e SHBA-së në vend, Angela Ageler, me të cilën ndër të tjera ka biseduar për gjendjen në Prokurorinë Publike, por edhe për sfidat që institucioni është përballur, më së shumti në aspektin e burimeve materiale dhe të personelit, transmeton Portalb.mk.

Siç informojnë nga Prokuroria, Kocevski falënderoi për mbështetjen që SHBA-ja i jep prokurorisë, veçanërisht për ngritjen dhe pajisjen e qendrave hetimore në Prokurorinë Themelore Publike Shkup dhe në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Nga ana tjetër, nga Prokuroia kumtojnë se ambasadorja Ageler theksoi se mbështetja e SHBA-së do të vazhdojë në të gjitha nivelet për të gjithë individët që punojnë me integritet dhe që janë të përkushtuar për të ofruar shërbimet më të mira për qytetarët, duke shtuar se që nga krijimi i partneritetit strategjik të SHBA-së me vendin tonë, mbështetja financiare e SHBA-së për të gjithë sistemin për sundimin e ligjit është rreth gjysmë miliardë dollarë.

Ambasadorja Ageler ka zhvilluar takim me të gjithë prokurorët në Prokurorinë e Republikës.

Kujtojmë që sundimi i ligjit në RMV është një nga pikat për të cilat SHBA-të vazhdimisht kanë alarmuar.