Ursula von der Leyen u nominua si kandidate kryesore për zgjedhjet në PE

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen tha se Partia Popullore Evropiane (EPP) e ka nominuar si kandidate kryesore në zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE) më 6-9 qershor dhe ka nisur fushatën e saj zgjedhore, raporton Anadolu.

Von der Leyen u nominua zyrtarisht për zgjedhjet e PE-së që do të mbahen në qershor, në kongresin e PPE-së, grupi më i madh politik në PE, të mbajtur në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht.

Në mesin e delegatëve të EPP nga e gjithë Evropa që morën pjesë në votim, 499 votuan “pro” kandidaturës së vetme të partisë, Von der Leyen ndërsa 89 votuan “kundër”.

Në postimin e saj në X, Von der Leyen shkroi: “Nga sot jam kryekandidatja e PPE-së në zgjedhjet evropiane të 6-9 qershorit”.

Filloi procesi i fushatës zgjedhore

Ajo ndau mesazhin e saj të parë përmes llogarisë së re në X, “@vonderleyen_epp”, që hapi për procesin e fushatës zgjedhore.

“Si evropiane, ky moment më emocionon. Falënderoj nga zemra çdo anëtar të PPE-së që më ka mbështetur me kaq vendosmëri. Mezi pres të luftoj me këtë parti të madhe në krahun tim. Për prosperitet, siguri, demokraci. Për Bashkimin tonë Evropian”, theksoi presidentja e KE-së.

Von der Leyen shpalli sërish kandidaturën e saj për Presidencën e KE-së më 19 shkurt.

Ajo ishte ministrja e Familjes, Grave, të Moshuarve dhe Rinisë në periudhën 2005-2009 në Gjermani, ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale midis 2009-2013 si dhe ministre e Mbrojtjes në vitet 2013-2019. Nëna e 7 fëmijëve, Von der Leyen, që nga viti 2019 është në krye të KE-së.