Adem Ameti nga Tetova: Botën do ta kemi në pëllëmbë dhe do ta pimë kafen ku të duam

Inxhinieri i Mekatronikës, Adem Ameti një djalë i ri nga Tetova dhe shumë kureshtar që kur dëgjon të flet për të ardhmen të duket si film fanta- shkencor, ose të duket si një diçka që është shumë e largët. Por, ai nuk e sheh shumë të largët këtë kohë, thotë se në 50 vjetët e ardhshme do ndodhin ndryshime marramendëse, ku siç thotë ai ‘’ botën do e kemi në pëllëmbë dhe do zgjedhim ku të pimë kafen’’. Për  lexuesit e Portalbit sjellim bisedën në vazhdim.  

Adem Ameti
Adem Ameti

Ishte i përmendur si njeri i suksesshëm i vitit nga personalitetet e Portalbit në fundvit. Ai është një njeri kureshtar i etur për të mësuar dhe zbuluar, pasi mësimi pa rezultat rëndom pak sjellë dobi. Nuk fle shumë dhe ka kokë dhembje shpesh shkaku se e mundojnë përgjigjet e pyetjeve që i vinë gjithë kohës dhe sapo mbaron njëra shfaqet tjetra. Kështu, ai tashmë konsiderohet si njeri me mbi 35 zbulime ose projekte. I dëshpëruar pafundësisht që nuk ka mbështetje institucionale, pasi kërkimet kanë koston e vet. Ai punon dhe ndan para anësh që të hulumtojë. Me paratë e veta ka blerë një makinë dhe e ka ridisenjuar sipas dëshirës dhe atë makinë e ka bërë të funksionojë në shumë mënyra, me goditje në xham, me lëvizje duarsh, me fishkëllimë. Ndërsa së  fundi përmes një aplikacioni në telefonin e mençur e ka shpikur (shiko shpikjen) një metodë ndezjeje dhe fikjeje të veturës që nuk e ka as Mercedesi dhe as BMW.  Për më tepër rreth shpikjeve të tija shikoni këtu. Ka kryer kurse për lindjen e njerëzve nga robotët dhe shumë tema të ndryshme. Ka realizuar aktivitete në te gjitha nivelet e institucioneve shtetërore të arsimit (shkollat e fillore te mesme dhe universitete). Ka qenë vullnetar në Kroaci ku u zgjodh dhe si ambasador.

Adem Ameti
Adem Ameti

Vetura e eksperimenteve tua është e vjetër?

Po, vetura është e vitit 1990, eksperimentet që realizohen në këtë veturë janë më të vështira se tek veturat e tjera – më pëlqejnë sfidat.

Po dëshira për hulumtim, kërkim në këtë sferë nga të ka ardhur?

Dëshira për të hulumtuar dhe kërkuar në fushën e shkencës vjen nga një pasion për zgjidhjen e sfidave dhe përqendrimin në zgjerimin e dijes. Kam shumë etje për dituri.

Ndihesh i përkrahur? Sa janë interesuar institucionet për ty?

Pse paskemi institucione ne!?

Si e siguron mbështetjen materiale?

Punoj dhe nga paga e punës lë anash duke marrë parasysh se edhe jam gati në përfundim të ciklit të dytë më vet/financim të studimeve (të cilat kanë shpenzimet e veta).

Çka të mban të motivuar në këtë vend?

Sinqerisht nuk e di – ndoshta dëshira për të kontribuar për vendin tim dhe për të bërë krenar familjen dhe shqiptarët.

Vetura e eksperimenteve
Vetura e eksperimenteve

Nuk do ikësh?

Çka të them, po më detyrojnë që të largohem që nga cikli i parë i studimeve,  por besoj shumë shpejt. Ju fala më të shtrenjtën që kam – KOHËN TIME – si unë dhe shumë të tjerë.

Sa u bënë me numër zbulimet tua?

Numri i plotë i projekteve të  publikuara është 35 deri tani , pasi edhe do të ketë të tjera në rrugë, ka edhe që nuk i kam publikuar pasi do ketë shumë paragjykime.

Me cilin zbulim ndihesh më krenar?

Të them të drejtën, i urituri nuk thotë jam i ngopur, kështu që edhe unë synoj  që të nxjerr më të mirën.

Cilat janë rrugës?

Do jetë një material të cilin e kam ndërtuar vetë, një material i cili do jetë ‘’top 1’’ në të ardhmen e interierit të banesave dhe do shfrytëzohet edhe në shumë fusha tjera.

Po inteligjencën artificiale duhet ta kemi frikë?

Inteligjenca artificiale është ndërtuar që njerëzit ta shfrytëzojnë për dobi dhe lehtësim, por krijesa njeri një përqindje e caktuar e shfrytëzojnë për të kundërtën, kështu që kjo varet nga ne. Është një temë e cila edhe 24 orë të flasim pa ndërprerje nuk do mund t’i themi të gjitha.

Adem Ameti
Adem Ameti

Si do duket bota në 50 vitet e ardhshme sipas teje?

Do e kemi planetin tonë në pëllëmbë të dorës – ku të të shkojë mendja, aty do të jesh – duke pirë kafe me një të huaj apo një shok. Do ketë ndryshime të mëdha në mjekësi për shërimin e shumë sëmundjeve që sot janë pothuajse të pa shërueshme – flas për sëmundjet e trashëgueshme, etj. – Pastaj fëmijët e porsalindur do kenë një sistem me antitrupa shumë të fortë që vështirë do sëmuren apo  të kenë sëmundje të trashëguara nga prindërit, normal kjo vlen për lindjen e foshnjave nga njeriu si bartës i tyre – pastaj kemi rigjenerim të pjesëve të trupit, pastaj asistentin virtual që do të jetë me ne 24/7, oh ka shumë, kur filloj të flas nuk më premton koha për t’i thënë të gjitha. Disa nga këto ndryshime kanë filluar ku edhe unë jam pjesë e disa ndryshimeve.

Në çka duhet të kemi kujdes?

Nga manipuluesit nën petkun e dobi-sjellësit ku edhe ky problem do zgjidhet në të ardhmen e afërt, ku rrobat tona do jenë të dizajnuara të posedojnë qindra sensorë që nëpërmjet tyre do dallojmë dhe do shfaqim gënjeshtrën në moment me qëllimin e synuar. “Nothing is free’’

Ti nuk je nga ata që ankohen, ia del për mrekulli vet, këshilla për ata qe duan te merren me shkencë?

Për ata që dëshirojnë të merren me shkencë, këshilloj të ndjekin pasionin e tyre, të jenë të përkushtuar në mësim dhe hulumtim, të punojnë dhe të mos heqin dorë nga sfidat që mund të hasin. Shkenca është një rrugë e vazhdueshme e mësimit dhe eksperimentimit, gjithashtu, bëhuni besimtar dhe praktikant të besimit pasi sfidat e jetës që do i hasni do i kaloni me lehtësi këtë që po e them, gjithashtu sugjerohet nga psikologjia, që e konfirmojnë edhe psikologët, lexoni, lexoni, lexoni , leximi sjellë dobi.