A mund frutat të shkaktojnë probleme te fëmijët? Ja çfarë thonë dietologët

“Hani fruta!” Pothuajse nuk ka nënë që të mos e thotë këtë fjali çdo ditë, sidomos në muajt e verës kur gjithçka është e mbushur me fruta të freskëta të stinës. Megjithatë, si çdo gjë tjetër, nuk duhet ta teprojmë as me frutat, transmeton Panacea.

Nutricionistja për fëmijë Mandi Saher shpjegon për portalin “Babyology” se moderimi është çelësi i shëndetit dhe e njëjta gjë vlen edhe kur bëhet fjalë për frutat.

“Frutat janë super të shëndetshme, por mund ta teprojmë”, shpjegon dietologia dhe shton se prindërit duhet të synojnë dy porcione në ditë për fëmijët, por nëse janë shumë aktivë – mund ta rrisin këtë numër në tre.

Një problem i vërtetë lind kur frutat fillojnë të zëvendësojnë ushqime të tjera ose kur hahen me çdo vakt të ditës. “Shumë njerëz hanë fruta pas çdo vakti kryesor, por është e rëndësishme që ushqimet dhe vaktet të jenë të ndara. “Fokusohuni te proteinat dhe perimet gjatë vakteve dhe ruajini frutat për mëngjes ose pasdite”.

Cili është fruti “më i mirë” për fëmijët?

Nutricionistja thekson se çdo frut ka përfitimet e veta, por një rregull i mirë i përgjithshëm është të zgjidhni ato që në mënyrë natyrale kanë më pak sheqer, si manaferrat. Ajo shton gjithashtu se është e rëndësishme të zgjidhni frutat e freskëta dhe të plota sesa të përpunuara në çfarëdo mënyre.

“Fëmijët duhet të hanë ushqim sa më natyral dhe afër natyrës. Shmangni ushqimet e lehta si frutat e thata të përpunuara. Edhe pse frutat e thata duhet të përmbajnë të gjitha vitaminat dhe mineralet që mund të gjenden në frutat e freskëta nëse thahen natyrshëm – ato bëhen të pashëndetshme nëse thahen kimikisht duke shtuar konservues ose sheqer shtesë. Më mirë t’u jepni fruta të freskëta në formë të plotë, veçanërisht nëse janë në sezon, në këtë mënyrë do të siguroheni që fëmija po merr të gjitha lëndët ushqyese”, shpjegon ajo.