A e kemi kuptuar Demokracinë

Mjerisht, termin demokraci e keqkuptuam dhe në mënyrë më drakonike e shpërdoruam, duke pandehur se liria personale mundet t’a pezullojë dhe dhunojë lirinë, pronën dhe të drejtat e njeriut. Dhe ky deformimet konceptual nuk përfshiu vetëm elitat shtetërore dhe establishmentin qeveritar, por i njejti kontaminoi dhe degjeneroi të gjithë superstrukturën shoqërore, që nga mjediset e degjeneruara të sistemit edukativo-arsimor, atij të burokratizuar shëndetësor, rrjetit të harlisur administrativ, sistemit të korruptuar të drejtësisë dhe sidomos atij të displazuar urbanistik i cili po na helmon, në mënyrë ciklike duke mos i harruar fazat e veta të tërbimit dhe acarimit stinor. Emërues i përbashkët i këtij uragani socio-kulturor është dhe mbetet fenomeni i diskriminimit dhe mosfunksionimit të ligjit, që ka mbërthyer dhe ngulfatur të gjitha shtigjet e zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë.

Kur jemi te ligji, duhet edhe një pasus t’a shprehim se ligjet thehen kryesisht nga ata të cilët janë të obliguar t’i zbatojnë dhe t’i fuqizojnë si kategori nacionale për të gjithë shtetasit. Fatkeqësisht klanet politike nuk preken nga ligjet.

Të gjitha këto analiza dhe pretendime pseudofilozofike me konotacion të përbotshëm gjeopolitik janë vetëm ekskrecione infektive të klaneve të delegjitimuara politike, të cilat pa mos zgjedhur mjete duan të marrin pushtetin, ose të mbajnë përjetësisht frenat e shtetit

Disa opinionist,madje guxojnë që në observimet e tyre të verbëta t’i barazojnë krimet dhe aferat sporadike korruptive të vendeve të konsoliduara demokratike me korrupsionin dhe krimin e organizuar, të vendeve në tranzicionin e stërgjatur. Nga pritja e cila nuk premton akoma finish, vendet erozuan nga ikja e popullsisë aktive.

Para se të analizoni agjendat politike dhe diplomatike të shteteve të huaja dhe fuqive të mëdha, të nderuar gazetar dhe publiçistë duhet të shkoni dhe shikoni se në cilat rrethana mësojnë dhe studiojnë fëmijët dhe të rinjtë tanë!?

Si i marrin notat dhe diplomat nxënësit dhe studentët tanë? Cilët janë mësuesit dhe profesorët e tyre? Kush prej mësimdhënësve e realizon dhe finalizon silabusin e vetëshpallur nëpër shkollat dhe fakultetet tona në gjuhën shqipe? Akademikët si u bënë Akademikë a i plotësuan kriteret e notave, a kanë punime shkencore, ndodh që shumica nuk kanë botuar as libra për studentët, dhe nuk kanë dale në opinion me ndonjë kumtesë shkencore. Nuk është më sekret se familjarizimi i ka rrënjët e thella brenda Universiteteve në hapësirat Shqiptare. Deri më sot nuk lexova dhe pashë në asnjë program televiziv ose reportazh të formatit edukativo-arsimor që haptas do të shfaqte ndonjë zbulim apo inovacion shkencor nga e arritura e studimeve, ose ndonjë reflektim edukativo-arsimor ndaj qytetareve. Po ashtu të fliste për vuajtjet dhe denigrimet të cilat u bëhen studenteve, të diplomuar kushtimit detyrohen të inkuadrohen në Restauronte si kamerier me diploma Universitare.

Dua të përkujtoj ata të cilët lexojnë dhe shkruajnë, se nuk janë fajtorë kryesor psikopatët dhe sociopatët për krizën e thellë shoqërore dhe kombëtare, por ne të tjerët që heshtim dhe nuk na ndihet zëri para këtij observatori denigrues, që për fatin tonë të zi përfaqësojmë shumicën e popullatës, duke pandehur madje se jemi viktima të pafajshme. JO, për hir të së vërtetës, jemi pjesëmarrës aktiv dhe naiv të kësaj përmbytje! Poqese edhe më tutje vazhdojmë të vet mashtrohemi se vetëm inkuadrimi formal dhe zyrtar në BE do të na i rregulloj punët tona të pista, që po i bëjmë, atëherë na ka hëngër kokën dreqi, pasi edhe në kuadër të BE-së kemi vende dhe popuj të prapambetur, të cilëve nuk mund t’u ndihmojnë dot shtetet e zhvilluara. Nga ana tjetër, si shembull kemi se as integrimi i shtetit shqiptar në NATO, nuk solli asnjë ndryshim pozitiv, përkundrazi, korrupcioni dhe krimi i organizuar edhe më tepër eskaloi dhe precipitoi krizën dhe armiqësitë brenda shqiptare. Koha dëshmoi se ky lloj i slloganeve dhe parullave boshe vetëm sa e defokusoi vëmendjen e opinionit ndaj disfunkcionimit të shtetit dhe shoqërisë së mirëfilltë demokratike, e cila siç dihet ka parime dhe standarde, të cilat bazohen në respektimin e ligjit dhe të drejtave e lirive të çdo qytetari. Këto dhe shumë deklarata të tilla shfajësues, nga ana tjetër, veçse mund t’u shërbejnë hëpërhë falangave dhe klaneve të nëntokës kriminogjene dhe kurrsesi popullit dhe shoqërisë shqiptare, e cila siç po e vërejmë shpëtimin dhe perspektivën e kërkon dhe gjen në Gurbetin e Zi! Shpopullimi i hapësirave Shqiptare është pranuar si relevante dhe normale, nuk ka shteti program për parandalimin e dukurisë së shëmtuar antikombëtare. Fëmijët tanë i plotësojnë humnerat e shkaktuara nga antinataliteti i shteteve industrialisht të zhvilluara. Rinia e ka kuptuar se kemi kaluar në diktaturën demokratike,dhe se nuk duan t’a humbin rininë duke pritur kaskadat e vetëshpallura, gjoja demokratike të reformohen. Mezogjeneratat u flijuan duke pritur, demokracinë e vlerave të premtuara.

Paradokset e kultivuara nga vet ne do t’i vuajmë vet ne, deri sa të vijnë në udhëheqësi shtetërore persona të cilët duhet të mveshen paraprakisht me ideologjinë e Rilindasëve për të patur ndjenja dashurie ndaj shtetit të vet.

Autor: Nexhat Bexheti