7 persona humbën jetën nga zjarri në Francë, përfshirë 3 fëmijë dhe 1 adoleshent

Si pasojë e një zjarri që kaploi një ndërtesë banimi në qytetin jugor Nice të Francës, shtatë persona humbur jetën, përfshirë tre fëmijë dhe një adoleshent, transmeton Anadolu.

Prefektura e departamentit Alpes-Maritimes, që përfshin qytetin Nice, njoftoi se zjarri filloi rreth orës 3 të mëngjesit në katin e fundit të një ndërtese banimi shtatë-katëshe.

Zjarri mori jetën e shtatë personave dhe plagosi tre të tjerë, duke përfshirë një person i cili është në gjendje kritike.

Duke folur për mediat lokale, prokurori i qytetit Nice, Damien Martinelli, njoftoi se viktimat ishin tre fëmijë, një adoleshent dhe tre të rritur. Ai shtoi se hetimet po fokusohen në mundësinë e një vepre penale.

Nënkryetari i Bashkisë Nice, Anthony Borre, në rrjetet sociale tha se video regjistrimet tregojnë tre të dyshuar të veshur me maska që hyjnë në ndërtesë pak para incidentit.

Presidenti Emmanuel Macron shprehu pikëllimin e tij në platformën sociale X, duke theksuar se “mendimet tona janë me familjet e viktimave”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, falënderoi zjarrfikësit për veprimin e shpejtë dhe për parandalimin e rritjes së numrit të jetëve të humbura.

Kryeministri Gabriel Attal dhe Darmanin pritet të vizitojnë skenën e incidentit në Nice.