40 sulme nga qentë endacakë për pesë muaj në Tetovë, ende nuk ka filluar trajtimi i tyre (Infografik)

Për më pak se pesë muaj, numri i rasteve të raportuara për sulme nga qentë endacakë në policinë e Tetovës është 40. Në lidhje me problemin me qentë endacakë Komuna e Tetovës së fundmi ka hapur një tender, por nga ky institucion nuk i tregojnë detajet, shkruan Portalb.mk.

Qentë endacakë të rrugëve në Tetovë vazhdojnë të jenë kërcënim për sigurinë publike, sidomos për fëmijët.

Fatmir Rexhepi, zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme na njoftoi se nga fillimi i vitit deri me 15 mars në polici janë regjistruar 40 raste të sulmeve të tyre ndaj kalimtarëve.

Mirëpo, ky numër besohet të jetë më i lartë, marrë parasysh se jo gjithkush i raporton sulmet.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Për zgjidhjen e problemit me qentë e rrugës, Komuna e Tetovës  për vitin 2024 ka ndarë 4 milionë denarë.

Për këtë problem, ishte hapur procedurë për tender i cili ka përfunduar.

Në ueb faqen elektronike të Prokurimeve Publike qëndron se Komuna e Tetovës më 07.05.2024 për “Programin për zbatimin dhe zgjidhjen e problemit të kafshëve të pastreha” ka përzgjedhur Shoqërinë për përkujdesjen e qenve endacakë “ANA AGRO SHPKNJP” f.Rataje, komuna e Jegunocës.

Megjithatë, kontrata nuk është e publikuar ende në këtë sistem elektronik.

Portalb.mk kërkoi detajet nga Komuna e Tetovës, se kur e njëjta do të fillojë të zbatohet në terren dhe për çfarë konkretisht bëhet fjalë. Por nga Komuna e Tetovës nuk na u përgjigjën.

Paraprakisht Komuna e Tetovës pari njoftuar se ka në plan ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacakë, e cila u paralajmërua edhe në vitin 2023, por që nuk u realizua.

Zgjidhja tjetër shihet edhe ndërtimi i strehimores rajonale për të gjitha komunat e Pollogut, por ky projekt zvarritet me vite.

Kujtojmë që vitin e kaluar (2023) në Tetovë u regjistruan 73 raste të kafshimeve nga qentë endacakë.