4 pyetje, 4 gjegje

Pse rinia arratiset nga vendi?

Ka shumë arsye pse të rinjtë e braktisin vendin dhe shpërngulen në vende të ndryshme të botës, në veçanti në ato perëndimore. Pra, ka faktorë shtytës dhe tërheqës. Në kategorinë e parë janë ekonomia në krizë, papunësia, politikat partitocentriste, gjyqësia jofuksionale, shkelja mbi meritorkracinë, pasiguria, mjekësia në komë, klima defetiste gjithë-shoqërore (“ky vend s’bëht, s;ka shpëtim pos ikjes”, imazhi i “deleve”, ku e para, të gjitha pas asaj). Si faktorë tërheqës janë rroga më e lartë, siguria ekonomike, ashensori social funksional (më i miri arrin më së larti), mundësitë më të mëdha për vetërealizim, kultura më e lartë në shumicën e sferave sociale (nga ekologjia deri në trafik) e të tjera. Si faktor që më së shumti i largon popullatën rinore prej këtu është “dhuna mentale” që ushtrohet nga prijësit politikë qendrorë dhe lokalë që avancojnë poltronët dhe jo më të mirët, krimi ekonomik që afirmon financiarisht hajdutët dhe që krijon bosë me çorapë-palarët e dikurshëm, që nxënësit/studentët e gjeneratave i shpërfill ose i injoron në mënyrën më të pacipë dhe kështu i kthen vlerat mbrapsht, me kokën teposhtë.

Sa i përgatit sistemi arsimor të rinjtë për tregun e punës?

Sistemi arsimor sikurse të gjitha lëmitë e tjera të jetës duhet të pësojë ndryshime radikale, të jetë në akordancë me kërkesat e tregut, të ofrojë më tepër shkathtësi aplikative, jo vetëm data (të dhëna) teorike që gjenden gjithkund nëpër tekste të shkruara dhe që sot i kemi në pëllëmbë të dorës, në celularët e tabletët tanë. Nuk ka mundësi që të jetë funksional një rend arsimor ku ende kemi mësimdhënës që dhunojnë trurin rinor nga 120 e 180 minuta duke qëndruar në vend, pa përdorur metodologji dhe vegla diverse të ligjërimit, të bashkëmësimit apo të bashkëbisedimit, do kisha thënë. Skripta dhe “libri tek” për mësim të njësive mësimore duhet të shndërrohen në histori. S’ka libër emblematik, të pazëvendësueshëm më. Klasika nuk vdes kurrë, ama posmodernja kërkon shumësi burimesh, përfshi edhe rrjetet apo mediat sociale, prej ku shpesh më ndodh të gjenerojë materiale të rëndësishme, tituj të ri librash, artikuj në pdf në gjuhë të ndryshme që pasurojnë aureolën e ligjërimit dhe të kooperimit akademik. Fosilizimi i arsimit me skripta është varrmihje e arsimit të shekullit XXI. Plus: s’mund të ketë as mësimdhënies e as mësimnxënie vetëm në gjuhën amtare. Po s’ofruat dhe s’u pranua nga studentët literatura në gjuhë të huaja, në veçanti nga anglishtja, kemi të bëjmë me një gjendje lënguese të arsimit.

 Ç’ndryshime duhen bërë për t’i përmirësuar kushtet e jetës së të rinjve në Maqedoninë e Veriut?

Kushtet e jetesës së të rinjve në RMV mund të përmirësohen kur të kemi elita të ndërgjegjshme, lidership etik që shpërfaq vlera në jetën individuale dhe në institucionet që menaxhojnë. Më pastaj, duhet ngritur standardin ekonomik, duhet krijuar infrastrukturë, duhet avancuar cilësinë e jetesës si në aspektin material ashtu edhe në atë shpirtëror. Çdokush duhet të ndjehet mirë aty ku gjendet: parku duhet të jetë park, rruga-magjistralja-autostrada duhet të jenë të rregulluara jo zona hedhurinash, duhet të ketë mundësi për sport, për vetëkulturizim, qendra rinore me pajisje moderne, mbështetje me bursa, afirmim të kulturës së punës përkundër “kafe-kulturës sabah-gjysëmnate”, suport për nisma biznesi, mini-biblioteka madje edhe në zonat rurale, evente kreative, demokratizim të politikës (zbritje nga kullat e fildishta, jo vetëm në zgjedhje), afirmim të storjeve të suksesit nga mesi ynë këtu dhe nëpër botë që motivojnë e të ngjashme.

Si mund të duket e ardhmja në RMV-së nëse vazhdon trendi i largimit të të rinjve?

Nëse vazhdon ky trend i ikjes së të rinjve apo shpërnguljes së trurit, Maqedonia e Veriut do të shndërrohet në një “shkretinë demografike”, në një vend pa njerëz ose në një zonë të pleqnisë apo gerontokracisë, ku rrallë do të dëgjohen të qarat e fëmijëve, ku klasave një nga një do t’iu vihet kyçi dhe do të shtohet numri i vendbanimeve të zbrazura që dikur kanë qenë me vitalitet të lartë. Atëherë do të kemi diasporë më të madhe sesa vendlindja, kurbetqarë në numër më të madh sesa popullata që jeton në atdhe, mungesë të krahut të punës, mbyllje firmash, tkurrje qytetesh, me një fjalë një teposhtëz shoqërore e cila s’jep shumë shpresë për të ardhmen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.