300 persona të papunë do të angazhohen për shërbime sociale dhe shëndetësore në nivel lokal në RMV
Ministria e Ekonomisë dhe Punës sot ka prezantuar masën e re të Planit operativ për vitin 2025, “Programi Punë e dobishme –komunale”, me të cilin parashikohet angazhim i 300 personave të papunë për të siguruar shërbime sociale dhe shëndetësore në nivel lokal, transmeton Portalb.mk.
Programi nuk është i dedikuar për punë komunale, por për mbështetje të drejtpërdrejtë të kategorive të rrezikuara të qytetarëve, duke përfshirë të moshuarit, personat me aftësi të veçanta, si dhe fëmijët nga familjet e rrezikuara sociale.
Shërbimet e parashikuara përfshijnë kujdesin ditor, ndihmën në kushte shtëpiake, mbështetjen për jetesë të pavarur, si dhe asistentët arsimorë dhe personalë për fëmijët.
Ministria e Ekonomisë bën të ditur se të papunët që do të përfshihen do të marrin kompensim bruto prej 28.000 denarë në muaj për një periudhë prej 18 muajsh, me atë që gjashtë muajt e parë do të financohen nga shteti dhe pjesa tjetër nga vetëqeverisja lokale.
“Shërbimet që do të marrin kategoritë e rrezikuara janë thelbësore për jetën e tyre të përditshme, ndërsa të papunët marrin shans për të ardhura të qëndrueshme dhe zhvillim profesional”, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Thirrja publike zgjat deri më 8 gusht të vitit 2025 dhe është i dedikuar për komunat dhe Qytetin e Shkupit.