30 ditë paraburgim për ish-luftëtarin e UÇK-së në Maqedoninë e Veriut

Gjykata Themelore në Shkup i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë. Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Sipas MPJD-së, autoritetet serbe e akuzojnë Ramadanin se ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes verën e vitit 1999.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është angazhuar me ekip të ekspertëve juridikë për lirimin sa më të shpejtë të zotit Ramadani dhe kthimin e tij në familje. MPJD dhe institucionet e Kosovës do të përdorin të gjitha kanalet diplomatike për të siguruar lirimin e shtetasit tonë”, tha MPJD-ja përmes një njoftimi.

Në lidhje me arrestimin e Ramadanit, kanë reaguar vetëm nga Aleanca për Shqiptarët, përmes ish-deputetes Artina Qazimi.

“Arrestimi i ish pjestarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga policia e Maqedonisë së Veriut është skandaloz, provokim i rëndë dhe rikthim i shtetit nën urdhërat e Sërbisë. Maqedonia e Veriut shumë kohë më parë ka një vendim që Sërbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën në atë periudhë, për vite ish ushtarët hyjnë e dalin nga vendi dhe askush deri më sot s’ka guxuar t’i ndalojë. Siç duket jo vetëm Stoilkoviçi, por edhe vetë Vuçiçi e paska në dorë Qeverinë dhe institucionet e RMV-së”, deklaroi Qazimi.

Ajo ka kërkuar urgjentisht të lirohet Ramadani, t’i kërkohet falje atij personalisht, familjarëve dhe Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar se më 17 korrik është arrestuar një shtetas i Kosovës, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.

Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për krime lufte.