12 vjeçari Diar Ajdini: Në të ardhmen do të ndërtoj edhe gjenerator për rrymë (VIDEO)

Diar Ajdini është nxënës në “Digital School”, i cili tashmë një vit me nxitjen e instruktorit të tij sjell punime të ndryshme që i krijon në shtëpi me pjesë elektronike dhe shkopinj, si flladitëse për laptop dhe për telefon, dritë alarmuese, kufje, dorë roboti e kështu me radhë, shkruan Portalb.mk.

Diari është 12 vjeçar dhe jeton në Çair të Shkupit. Aftësinë e tij për të krijuar gjësende së pari e ka zbuluar gjyshi i tij, i cili i ka sjellë vetura që mund t’i çmontojë dhe t’i montojë përsëri, pastaj sëbashku kanë bërë një dorë me shkopinj, që kontrollohej me pjesë elektronike, të cilën e ka dërguar në Digital School. Prej atëherë, instruktori i tij, Bujar Hamiti, e ka nxitur dhe ndihmuar të merret më intenzivisht me këto aktivitete.

Diari, në intervistë për Portalb.mk, tregon se si ka nisur të merret me projekte të këtilla, pengesat që i shfaqen dhe çfarë do të bëjë në të ardhmen.

Intervistoi: Arbnora Miftari

Portalb: Kur ke filluar të bësh punime të këtilla?

Diari: Kur isha i vogël, gjyshi im më mësonte pakëz, ai ka qenë arsimtar i fizikës.  Prindi im më blinte vetura elektrike dhe unë i çmontoja edhe i rregulloja prej fillimi.

Portalb: Çfarë bën kur nuk funksionon diçka?

Diari: Kur nuk më funksionon ndonjë gjë, unë ndalem dhe e analizoj çfarë mungon. E kam ndalur krejt projektin dhe e kam analizuar krejt rend për rend: Cili kabëll shkon këtu ose aty.

Portalb: Çfarë dëshiron të krijosh në të ardhmen?

Diari: E kam ndërmend të bëj një aparat për prodhimin e rrymës elektrike.

Portalb: Çfarë do u thoje fëmijëve tjerë që duan të bëhen si ti?

Diari: Rrymën me e mësu, plusin minusin. Tjetër, si me i lidh kabllot. Edhe… Aq. Lehtë!

Për historinë e Diarit dhe hobin e tij interesant foli instruktori i tij, Bujar Hamiti.

Portalb: Si jeni njoftuar me Diarin? A vërehej prej në fillim aftësia e tij?

Hamiti: Me Diarin jemi takuar në shkurt të këtij viti, 2023 dhe që nga e para Diari më tërhoqi diçka si fëmijë. M’u duk pak si më i veçantë. Shkaku i asaj se qysh orët e para në Digital School filloi të sjellte disa punime shumë interesante të cilat i kishte mësuar dhe i kishte të shikuara nga gjyshi i vet. Mirëpo aty e pash se Diari kishte një talent për  pjesët motorike e kështu me radhë.

Portalb: Çfarë punimesh ka sjellë Diari gjatë kësaj periudhe që e keni njohur?

Hamiti: Diari fillimisht e ka pru një mini robot, i cili me anë të pjesëve të drurit dhe me anë të një motori e vinte në lëvizje. Dhe pikërisht neve këtu si Digital School që merremi me programim më lindi ideja dhe një ditë i thashë Diarit që “Bën edhe ndonjë projekt tjetër dhe sille prap”. Ashtu vazhdimisht Diari, orë pas ore, çdo javë, në çdo dy javë sillte diçka të re. Mund t’i ceki dëgjueset që i ka sjellë para një muaji e gjysmë. Dëgjuese të cilat i ka modifikuar dhe me të vërtetë kishte zë në ato dëgjuese. Pastaj, pas asaj solli edhe flladitësen për laptop ku edhe të gjithë fëmijët që ishin në klasë u mahnitën.

Për Shkollën Digjitale në të cilën mëson Diari, foli themeluesi i saj, Gazmend Amiti.

“Për momentin jemi në hapësirat e Shkollës Digjitale këtu në Shkup që është shkolla kryesore. Shkolla jonë është e shtrirë edhe në katër qytete tjera në Maqedoni, Domethënë jemi në Dibër jemi në Gostivar, në Tetovë dhe së fundmi prej shtatorit jemi prezent edhe në Kumanovë. Shkolla Digjitale është e shtrirë edhe në 500 pika tjera të botës, duke filluar prej këtu, Ballkanit e deri në Meksikë. Kurset i kemi të ndara me mosha, në module: Prej moshës 8 deri në moshën 12 vjeçare – Programimi Bazik, Programimi i Avancuar prej moshës 12 deri në moshën 15 vjeçare dhe ai profesional prej moshës 16 deri në moshën 18 vjeçare”, tha Amiti.

Intervistën e plotë me Diarin dhe instruktorin Bujar Hamiti mund ta ndiqni më poshtë.