Zjarr i madh në Marvincë të Vallandovës, rrezikon të përhapet në drejtim të fshatit

Një zjarr i madh ka shpërthyer mbi fshatin Marvincë të Komunës së Vallandovës dhe ekziston rreziku që ai të përhapet edhe në fshat, njofton Qendra Rajonale për Menaxhimin e Krizave (QMK) Strumicë. Po digjet bar i thatë dhe shkurre, transmeton Portalb.mk.

Për shuarjen e flakëve kanë ndërhyrë tetë zjarrfikës me tre makina zjarrfikëse, ndërsa në ndihmë janë thirrur edhe zjarrfikësit e brigadës së Gjevgjelisë me një makinë zjarrfikëse.

Sipas informacioneve të kryetarit të komunës së Vallandovës, Pero Kostadinov, zjarri është devijuar dhe zjarrfikësit nuk po lejojnë të përhapet në drejtim të fshatit Marvincë.

Përveç këtij, një tjetër zjarr aktiv ka në territorin e Vallandovës, në fshatin Çalaklia. Nga zjarri është përfshirë bari i thatë dhe për shuarjen e tij kanë ndërhyrë edhe zjarrfikësit, por për shkak të rrezikshmërisë më të madhe, siç bëjnë me dije nga QMK, fokusi është zjarri në afërsi të Marvincës.