VLEN tha se Gjykata ka pranuar ankesën e koalicionit mbushjen e kutive të votimit në Likovë

Valbon Limani nga koalicioni Vlen sot në konferencë për shtyp shfaqi vendimin e Gjykatës Administrative ku pranohet ankesa e koaliconit VLEN në lidhje me mbushjet e kutive në Likovë, transmeton Portalb.mk.

“Gjykata Administrative e ka pranuar ankesën e Koalicionit VLEN në lidhje me vendvotimin në Likovë, ku pati mbushje të kutisë nga ana e njerëzve të afërt të bartësit të listës së BDI në këtë zonë,  përmes teknikës së njohur si “tren bullgar. Në vendimin e gjykatës thuhet se padia e kandidatit në zgjedhjet presidenciale 2024, Arben Taravari,  pranohet”, u shpreh Limani.

Sipas Limanit, me këtë u dëshmua inzhineringu zgjedhor i BDI-së në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit dhe ftoi organet kompetente të veprojnë në mënyrë që përgjegjësit e vjedhjes së votës të dalin para drejtësisë.

“Pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, regjimi i BDI-së do të shembet. Koalicioni VLEN si qeveri e ardhshme, zotohet se do të sanksionojë çdo përpjekje të pushtetit në ikje për të vjedhur apo blerë vota”, u shpreh Limani.

Kujtojmë se Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në mbledhjen e 29 prillit vendosi që të mos pranohet ankesa për votim në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit të koalicionit Vlen për vendvotimin 1112/1 në Komunën e Likovës. Vendimi për kontrollimin e materialit zgjedhor erdhi pasi përfaqësuesi i autorizuar Albedin Abdulli nga koalicioni “Vlen” shpjegoi kundërshtimin dhe tregoi se çfarë ka ndodhur atë ditë në Likovë.