Zjarri në Mariovë të Prilepit dje doli jashtë kontrollit, më shumë se 195 profesionistë sot janë në terren

Zjarri i cili ka rënë para disa ditësh në territorin e Mariovës në Prilep ka dalë jashtë kontrolli gjatë ditës së djeshme. Në një moment vija e zjarrit ishte më e gjatë se 20 kilometra. Për këto arsye dje është takuar Shtabi i Krizave të Komunës së Prilepit, njoftoi drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angelov, transmeton Portalb.mk.

Siç informoi Angelov, për sot janë dakorduar më shumë masa dhe aktivitete.

Herët në mëngjes në vendin e zjarrit kanë arritur 25 tigra policorë, 70 pjesëtarë të ushtrisë, 40 punonjës të Pyjeve Kombëtare dhe më shumë se 60 zjarrfikës, tha Angelov.

Më shumë se 195 profesionistë janë në zonën rurale.

Për shkak të dukshmërisë së zvogëluar, tymit të dendur, përdorimi i helikopterit nuk është i mundur. Edhe airtraktori i i DMSH-së nuk do të mund të funksionojë nëse nuk përmirësohen kushtet, shtoi Angelov.

Në territorin e shtetit gjatë ditës së djeshme kanë rënë gjithsej 27 vatra, nga të cilat 4 janë aktive, dy janë nën kontroll dhe 21 janë shuar plotësisht.

Përveç zjarrit në Mariovë dhe rrethinë, zjarri është aktiv edhe në komunën e Çashkës, në malin Mukos. Një zjarr aktiv ka edhe në komunën Çuçer Sandevë dhe në territorin e komunës së Dollnenit, njoftoi QMK.

Për shkak të zjarreve në mes të korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut për herë të parë shpalli gjendje krize për 30 ditë, e cila u vazhduar përsëri më 13 gusht dhe kërkoi ndihmë përmes mekanizmit të BE-së në fushën e mbrojtjes civile.

Gjithashtu, është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.