Zgjerimi është në zemër të presidencës daneze, Deiler Kardel: RMV të shfrytëzojë mundësinë

Ka një ndryshim në Evropë dhe një dëshirë që Evropa të zgjerohet, të bëhet më e fortë duke anëtarësuar me më shumë shtete. Kështu është deklaruar ambasadorja jo-rezidente e Mbretërisë së Danimarkës Pernile Deiler Kardel në Maqedoninë e Veriut, e cila sot para Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Nacional për Integrime prezantoi prioritetet e presidencës daneze me BE-në, shkruan Portalb.mk.  

“Ne kemi dy grupe prioritetesh. E para është për një Evropë të sigurt, sepse po zgjerohemi. Zgjerimi është në zemër të presidencës daneze. Grupi i dytë i prioriteteve është një Evropë konkurruese dhe e gjelbër. Një Evropë e gjelbër është shumë e rëndësishme. Ne jemi vendi më ambicioz i gjelbër në Evropë”, tha ambasadorja Deiler Kardel.    

Ambasadorja kujtoi se vet Damirka ishte nga vendet që nuk besonin në zgjerimin e BE-së.  

“Por kjo ka ndryshuar. Ka ardhur koha që ne të jemi të bashkuar dhe të vazhdojmë me zgjerimin, si një nga prioritetet e presidencës daneze. Mundësia për zgjerim është më e madhe tani sesa ka qenë për një kohë të gjatë. Ne do të donim ta shihnim Maqedoninë e Veriut si pjesë të grupit të ardhshëm të vendeve që do të bëhen anëtare të BE-së. Ju e dini se çfarë duhet bërë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar dhe mbështetur që ta bëni këtë të ndodhë. Është e rëndësishme të shfrytëzojmë mundësinë. Ne i dimë sfidat”, theksoi ambasadorja daneze. 

Danimarka mori presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian nga 1 korriku, nën moton “Evropë e fortë në kohë ndryshimesh” dhe do ta mbajë këtë detyrë deri më 31 dhjetor 2025. Ajo mori kryesimin nga Polonia dhe do t’ia dorëzojë stafetën Qipros. 

Kujtojmë se nga janari e deri në qershor, presidencën e mbajti për herë të dytë Polonia, mandati cili shënoi fillimin e një tresheje të re presidence që përfshin Danimarkën dhe Qipron. Edhe gjatë presidencës polake për zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, nuk iu kushtua ndonjë rëndësi e veçantë Maqedonisë së Veriut.

“Qëllimi ynë është të bëjmë përparim në lidhje me Ukrainën, Moldavinë, si dhe me Ballkanin Perëndimor. Progresi në procesin e anëtarësimit duhet të jetë proporcional me përfshirjen e vendeve kandidate për në BE. Për më tepër, Presidenca polake do të mbështesë aspiratat pro-evropiane të shoqërisë gjeorgjiane. Ne llogarisim në përmbysjen e prirjes anti-evropiane që iu imponua Gjeorgjisë nga partia Ëndrra Gjeorgjiane, e cila erdhi në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të standardeve të dyshimta. Ne gjithashtu do të donim që Bashkimi Evropian dhe Turqia të ndërmarrin hapa konkretë drejt një afrimi. Turqia është partneri ynë shumë i rëndësishëm, strategjik, jo vetëm në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, por edhe në ekonomi”, tha atëkohë shefi i MPJ-së polake.