Zgjedhjet e Parlamentit Evropian dhe ngritja e së djathtës ekstreme

Sot, Evropa ka nevojë për alternativa të reja dhe hapësira të reja politike që të jetë në gjendje të ofrojë përgjigje për problemet me të cilat është përballur. Dhe siç e kemi përmendur tashmë, sfida kryesore është krahu i djathtë ekstrem.

Burimi: Respublica

Autor: Murat Aliu

Zgjedhjet për Parlamentit Evropian (PE) të 6-9 qershorit 2024 ofrojnë një udhëzues gjithëpërfshirës për të kuptuar tendencat e reja politike që shihen në të gjithë kontinentin Evropian. Kësaj here 7 grupet politike në PE që dolën nga zgjedhjet e vitit 2019 u ndanë në nëngrupe pak më të diferencuara.

Kështu parë nga një këndvështrim më të përgjithshëm, qendra u zhvendos më tej djathtas, e djathta ekstreme u ngjit në pozicionin kryesor të opozitës dhe e majta socialiste krijoi nën-grupe të reja dhe arriti sukses relativ në disa vende të caktuara. Edhe përkundër këtij “suksesi” relativ e majta nuk arriti një rezultat ekuilibrues ndaj së djathtës ekstreme.

Lajmi më interesant i zgjedhjeve ishte padyshim shpërfaqja e faktit se ngritja e së djathtës ekstreme kishte arritur një pikë serioze në shumë vende. Pas partisë “Vëllezërit e İtalisë” që erdhën në pushtet në Itali në vitin 2022, Fronti Kombëtar ( Rassemblement National) i Le Pen-it, siç njihet zakonisht, u bë partia e parë në Francë, duke marrë 32% të votave. Në Gjermani, AfD (Alternativa për Gjermanin) u bë partia e dytë me 16%, dhe në Austri partitë e ekstremit të djathtë rritën votat e tyre.

Krahas faktit që dy grupet kryesore të së djathtës ekstreme kanë arritur në pikën ku po konkurrojnë me socialdemokratët për vendin e dytë me 136 mandate gjithsej, fakti që të gjitha partitë e qendrës evropiane përfshijnë politika të ekstremit të djathtë duhet konsideruar si forcimi i tendencës neo-fashizane në total.

Vendi ku zgjedhjet dhanë rezultatet më të habitshme ishte padyshim Franca. Grupi i djathtë-liberal Renew Europe, i udhëhequr nga partia e Rilindjes së Macron-it, humbi 20 vende në të gjithë kontinentin dhe e mbylli garën me gjithsej 82 vende në PE. Ndërkaq Frontit Kombëtar i Marine Le Pen-it i cili zuri vendin e parë me 30% të votave detyroi presidentin Macron të shpall zgjedhje të parakohshme parlamentare në Francë. Pas Italisë, vendi ku e djathta ekstreme është më afër pushtetit është regjistruar si Franca.

Normat totale të votave të arritura nga e djathta ekstreme në vende si Gjermania, Belgjika, Holanda, Italia dhe madje edhe Spanja tregojnë se situata është në një pikë serioze në shkallë kontinentale.

Nga ana tjetër rezultat nga zgjedhjet parlamentare në Francë, të mbajtura në 7 Korrik ishin befasuese. Përkundër pritjeve dhe anketave të cilët parashikonin një fitore të Frontit Kombëtar, në zgjedhjet e 7 Korrikut, befasisht, Fronti i Ri Popullor, kryesisht me prirje majtiste, fitoj 188 vende në parlamentin francez, i cili numëron gjithsej 577 vende. Ndërkaq Fronti Kombëtar u rendit i treti me radhë duke fituar vetëm 142 vende në parlamentin francez.

Megjithatë kjo nuk nënkuptoni dështim i së djathtës ekstreme franceze. Pasi që kjo fitore e të majtëve u arrit falë koalicionimeve të shumta të partive dhe aktorëve jo-djathtiste dhe një diskursi që fuqimisht vendosi theksin në rreziqet e mundshme në rast të një fitoreje e të Frontit Kombëtar.

Sidoqoftë, në këto zgjedhje, përqindja e pjesëmarrjes ishte 51% në të gjithë Evropën, që nënkupton një rritje prej afërsisht 1 pikë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019. Duket se paraqitja e një dinamizmi që mund të çojë në qendrat e votimit votuesit jo të djathtë të cilët nuk shkojnë në qendrat e votimit, do të vazhdojë të jetë një problem i përbashkët si për partitë e qendrës ashtu edhe për partitë e majta.

Për sa i përket ekuacionit të përgjithshëm, koalicioni i gjerë (Qendra e djathtë, qendra e majtë dhe Liberalët) që qëndron pas Presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen do të vazhdojë të mbajë shumicën në PE. Grupi i Partisë Popullore Evropiane të Von der Leyen arriti një rritje të vogël në numrin e përgjithshëm të vendeve dhe e përfundoi garën përsëri si grupi i parë me gjithsej 188 deputet.

Fjalimi “fitimtar” i Leyen pas shpalljes së rezultateve jozyrtare pasqyron atmosferën që partitë e qendrës mbajnë ende frenat përballë rritjes së të djathtës ekstreme.

Megjithatë, megjithëse votat e ekstremit të djathtë që janë rritur vazhdimisht në 10 vitet e fundit nuk shqetësojnë qendrën e djathtë, ato kanë arritur një nivel që shqetëson seriozisht publikun e gjerë, gratë dhe emigrantët.

E djathta ekstreme: opozita kryesore në PE!

Grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), i cili ka një mesatare midis qendrës së djathtë dhe ekstremit të djathtë autoritar, është grupi i katërt më i madh me 78 vende. Kështu krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019 arriti të rrisë numrin e deputetëve për 8. Në këtë formacion, bëjnë pjesë e djathta autoritare e Polonisë, Partia e Ligjit dhe Drejtësisë, Partia Vëllezërit Italian të Giorgia Meloni, Vox e Spanjës dhe ODS (Civic Democratic Party) e Republikës Çeke-e gjithë kjo një përbërje prej partive të ekstremit të djathtë, partive neofashiste, populiste dhe autoritare.

Krahu i ekstremit të djathtë ose neofashist i Parlamentit Evropian, Grupi i Identitetit dhe Demokracisë (ID), siç quhet ndryshe, rriti përfaqësimin e tij efektiv në çdo cikël zgjedhor. Kështu, në zgjedhjet e vitit 2019 ky grup fitoi  49 mandate, ndërkaq në zgjedhjet e këtij vitit përfaqësohet me 58 deputetë. Ky grup, i cili përfshin AfD-në e Gjermanisë, Frontin Kombëtar të Le Pen të Francës dhe partinë Liga të Matteo Salvinit të Italisë, është përkrahësi kryesor i politikave neofashiste, veçanërisht ndjenjave anti-imigruese, brenda Parlamentit Europian. Partia e Lirisë së Austrisë (ÖVP) dhe Partia Flamane e Interesit të Belgjikës (FI) janë parti neofashiste që duhen përmendur gjithashtu.

Dy grupet të ekstremit të djathtë brenda PE-së, përkatësisht Grupi Evropian i Konservatorëve dhe Reformistëve dhe Grupi i Identitetit dhe Demokracisë, përfaqësojnë një politik e cila kundërshton qasjen e SHBA-së përkarshi Luftës në Ukrainë. Nga ana tjetër, të dy grupet mbrojnë fuqimisht vlerat konservatore kundër grave dhe LGBTI+. Retorika e tyre antiestablishment zhduket kur vijnë në pushtet nga opozita dhe shpejt bëhen pro-establishment. Ndoshta është pjesërisht kështu.

Por pavarësisht kësaj, ata nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre autoritare ndaj barazisë dhe lirive sociale. Në këtë kuptim, mund të thuhet se të gjitha këto parti të ekstremit të djathtë ndryshojnë minimalisht nga partitë klasike fashiste.

Ursula von der Leyen për herë të dytë presidente e Komisionit Evropian

Më 18 korrik, Parlamenti Evropian me 401 vota “pro”, 284 “kundër” dhe 15 “abstenime” rizgjodhi për herë të dytë Ursula von der Leyen si Presidente të Komisionit Europian, kandidate e Partisë Popullore Europiane (EPP). ) Rizgjedhja e Ursula von der Leyen si Presidente e Komisionit Evropian ishte e pritshme dhe paraqet një hap “pozitiv” për të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate për anëtarësim.

Në fjalimin e saj pas rizgjedhjes, Leyen foli për prioritetet e BE-së gjatë mandatit të saj. Është e rëndësishme që prioritetet kryesore të BE-së do të vazhdojnë të jenë zgjerimi i mëtejshëm i BE-së, parandalimi i rritjes së të djathtës ekstreme, ndihma ushtarake dhe financiare për Ukrainën, parandalimi i migracionit etj.

Von der Leyen theksoi se nuk do të lejojë që Evropa të copëtohet “as nga brenda as nga jashtë”, duke thënë: “Nuk do të lejoj kurrë polarizim ekstrem në shoqëritë tona. Nuk do të pranoj kurrë që demagogët dhe ekstremistët të shkatërrojnë mënyrën tonë të jetesës evropiane. Unë jam këtu sot me të gjitha forcat demokratike në këtë Dhomë… Jam gati të udhëheq luftën”.

Megjithatë, të gjitha këto premtime apo synime të Bashkimit Evropian ose Komisionit Evropian si qeveri e BE-së, mbeten për t’u parë nëse do të realizohen apo jo. Ajo që shihet aktualisht është se Bashkimi Evropian, pra shtetet anëtare të BE-së, janë të polarizuar për shumë çështje, që do të thotë se sfidat do të jenë të mëdha.

BE gjendet përballë një sfide të rëndësishme

Është e paqartë se cilat janë shkaqet kryesore të këtij rezultati. Janë disa faktorë të cilët në një apo tjetër mënyrë ndikuan në ngritjen e së djathtës ekstreme. Kështu  vala gjithmonë në rritje e emigrantëve në 10 vitet e fundit, lufta në Ukrainë e cila shkaktoj krizë ekonomike dhe pasiguri në mesin e qytetarëve europian, pakënaqësitë mbi politikat e brendshme dhe të jashtme të Bashkimit Evropian dhe diskursi populist dhe konspirativ i partive të ekstremit të djathtë, duken se ndikuan në këtë rezultat. Sigurisht kësaj i duhen shtuar edhe mungesa e një vizionit të qartë të së majtës socialiste, të cilat janë larg nga të luajturit e rolit të tyre historik.

Sjellja e votuesve sigurisht që do të studiohet në detaje për sa i përket vendit, grupmoshave dhe pozicioneve të klasave. Megjithatë, pavarësisht nëse e quajmë atë të djathtë apo neo-fashiste, vala në rritje prirjeve konservatore, raciste dhe autoritare në Evropë nuk ka se si të mos merret seriozisht.

Diskursi i partive të qendrës evropiane se “e djathta ekstreme nuk është më ekstreme si dikur dhe se ekstremet e saj janë shkurtuar” nuk duhet pranuar në asnjë mënyrë dhe kësisoj duhet parë me skepticizëm. Sigurisht, kushtet nuk janë saktësisht të njëjta, por kjo situatë i ngjan kohës së ngritjes së Hitlerit. Atëherë shumë liderë evropianë dhe vende demokratike, duke përbuzur apo mos marrë seriozisht potencialin kriminal të Hitlerit dhe partisë naziste, vendosën të kenë një qasje të moderuar kundër tij dhe partisë naziste; një qasje që më vonë u pagua shumë shtrenjtë jo vetëm nga vendet evropiane, por nga e gjithë bota.

Politika për të mos i quajtur fashistët fashistë, por për t’i legjitimuar dhe tërhequr në qendër është e dënuar të shembet edhe një herë. Është e nevojshme që fashistët t’i quajmë si të tillë. Kjo jo për faktin që për  t’i quajtur si të tillë, por për t’i luftuar ata ashtu siç duhet t’i luftojmë.

E majta socialiste ka nevojë të krijojë fronte të gjera më shumë se kurrë, por kjo nuk do të thotë që ajo me patjetër të bashkërendohet me politikat raciste-konservatore-djathtas që janë pastruar nga “ekstremizmi” i partive të establishmentit. Sepse në një epokë krizash, masa të mëdha njerëzish bëhen të hapura ndaj prirjeve fashiste pikërisht në atë masë sa nuk mund të gjejnë një dalje në politikën e “rendit”.

Sot, Evropa ka nevojë për alternativa të reja dhe hapësira të reja politike që të jetë në gjendje të ofrojë përgjigje për problemet me të cilat është përballur. Dhe siç e kemi përmendur tashmë, sfida kryesore është krahu i djathtë ekstrem.

Por për të ndalur këtë rritje, duhet të identifikohen shkaqet që orientojnë votuesit drejt ekstremit të djathtë. Nga ky këndvështrim, sot duket se duhet një politikë dhe qasje radikale në drejtim të gjetjes së zgjidhjes së problemeve kryesore me të cilat përballen qytetarët europianë për të parandaluar ngritjen e së djathtës ekstreme.