Zbatimi i një kornize racionale në politikën e jashtme

Zbatimi i një politike të jashtme realiste në periudha të caktuara të paqartësive globale është një mision mjaft i vështirë. Përderisa globalizimi dhe teknologjia e re po i zvogëlon kapacitetet e shteteve të brishta për tu bërë aktorë të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare, varësia në mes të mëdhenjve dhe shteteve të pafuqishme vazhdon. Historikisht, shtetet e vogla kanë kërkuar një strehë apo një mburojë nga të mëdhenjtë në politikën ndërkombëtare.

Ndonjëherë, qoftë për të keq ose për të mirë, një lidhje e tillë strukturore paraqet një sfidë për shtetet e vogla që detyrohen të marrin përgjegjësi për aleancat dhe marrëveshjet me të mëdhenjtë. Dhe ky rrezik bëhet edhe më i madh, kur shtetet e fuqishme vendosin të hyjnë në konflikte me shtete të tjera. Prej këtu shihet se politika ndërkombëtare është vetëm një interes i shteteve, ku aty qeveritë bëjnë përpjekje për ruajtur interesat ekonomike, fetare dhe ideologjike.

Siç dihet në 100 vitet e fundit, luftërat dhe kushtet e pasluftës kanë krijuar rrethana të reja socio-politike dhe ekonomike për shtetet që kanë qenë burim i luftërave të përhershme, duke imponuar më vonë ndryshime në politikën e jashtme, me theks në zonat e konfliktit. Për të shmangur politikën e pas luftës dhe diplomacinë e fërkimeve me të gjithë, është e nevojshme që një qeveri të ndërtojnë një kornizë racionale në politikën e jashtme.

Çfarë duhet dhe nuk duhet bërë me fqinjët dhe aleatët? Më këtë pyetje dhe dilemë mund të fillojmë nga Ballkani e deri në Evropën Lindore, ku diplomacia dhe politika e jashtme e vendeve duhet bërë me kujdes, për arsye të paqëndrueshmërisë që ekziston nga Baltiku e deri në jug të Ballkanit. Nënvlerësimi i politikës së jashtme realiste të një shteti nga grupe dhe qarqe brenda një qeverie, mund të çojë në gabime dhe keqkuptime të shumta në marrëdhëniet e jashtme. Dhe ndonjëherë mund të ketë efekte të kundërta në disa marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Për të pasur një politikë të jashtme të mirë, një qeveri duhet të ketë burrështetas të duhur dhe diplomatë të shkathtë në punët e jashtme. Përveç kësaj, një shtet duhet të ketë një vizion të qartë për çështjet botërore, dhe për sfidat që shtetet tjera paraqesin në politikën rajonale e ndërkombëtare. Duhet të njohin kufizimet dhe fuqinë që posedon shteti. Sa më realistë të jenë, aq më lehtë mund të zhvillojnë një politikë të jashtme. Me një qasje të re ndaj ngjarjeve, çështjeve të ndërlikuara dhe me një kornizë realiste, shtetet mund të parandalojnë kriza të reja me vendet fqinjë.

Mund të tejkalojnë shumë keqkuptime edhe me shtetet e fuqishme që kanë të drejtën e vetos në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Siç e dimë shtetet e vogla, ndonjëherë edhe me politikë të jashtme të kujdesshme mund të përballen me vështirësi në çështjet ndërkombëtare ose në zgjidhjen e çështjeve ndërfqinjësore si p.sh. mosmarrëveshjet historike, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare etj etj. Në këtë rast, mënyra e vetme për të arritur sigurinë dhe stabilitetin është thirrja në ndërmjetësim nga organizatat ndërkombëtare ku shtetet e mëdha janë pjesë ose themeluese të këtyre organizatave.

Duke u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare, qeveritë e shteteve mund t’i adresojë çështjet më lehë (si shembull mund të merret Kosova dhe Maqedonia e Veriut). Në kohën e mjegullës gjeopolitike, shtetet që nuk kanë zë në politikën botërore, tentojnë tu shkojnë vërdallë shteteve të fuqishme për shkak të mungesës së forcës ekonomike dhe ushtarake, si p.sh ndaj BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe vende të tjera që e përbëjnë BRICS-in.

Pasi në raste të tilla, shtetet me histori të ndërlikuar identitare dhe probleme të brendshme etno-fetare paraqesin rrezik të pakufizuar gjeografik, atëherë zbatimi i modelit racional duhet të shihet si qasja më praktike në politikën e jashtme. Qeveritë duhet të vlerësojnë se cila është zgjedhja më e mirë që mund t’i shërbejë një qëllimi ndërfqinjësorë se sa përdorimi i opsioneve tjera që kërkojnë kohë dhe kthim mbrapa. Këtu si rast mund ta marrim përsëri Maqedoninë e Veriut në raport me Greqinë.

Në këtë rast duhet nënvizuar përpjekjet e fundit të presidentes së sapo zgjedhur Gordana Silajnovska-Davkova për të krijuar rrethana të reja në marrëdhëniet në mes dy vendeve, pra një politikë të re të jashtme. Duke krijuar kushte të reja, shpresohet që të formulohet një politikë e jashtme më ndryshe me fqinjtë. Mirëpo, një ndërmarrje e tillë pa një analizë të dëmit dhe përfitimit të mundshëm që mund të ketë Maqedonia e Veriut, është tejet e rrezikshme.

Megjithatë, shumë shpejt u vërtetua se veprime të tilla kanë prirje të bëhen më vonë pjesë e një politike të jashtme. Projekte që burojnë nga rrethet akademike nacionaliste, dhe post- fushatat zgjedhore me erë të irredentizmit, mund të sjellin shqetësime të reja në marrëdhëniet e Shkupit zyrtarë jo vetëm me Sofjen dhe Athinën. Natyrisht se aksione e tilla shtetërore janë tejet të dëmshme. Andaj zbatimi i një politike të jashtme racionale duhet bërë në përputhje me rrethanat që ekzistojnë në kohë, e jo sipas ideve që nuk gjejnë mbështetje nga jashtë.

Për më shumë, mund të vazhdohet më tej me studimin e marrëdhënieve të Maqedonisë së Veriut me Greqinë dhe Bullgarinë, raportet Serbi-Kosovë ose marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe BE-në. Në të dyja rastet si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duhet të mbështeten në përdorimin e kornizave realiste në politikën e jashtme e jo në përqafimin e planeve të parealizueshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.