Xhemazije Rizvani në OpenMic: Shumë keq që nuk i përfshijmë burrat në procesin e prindërimit, situata duhet të ndryshojë

Në episodin e nëntë të OpenMic në Portalb.mk flasim me Xhemazije Rizvanin, ajo është ish-mësimdhënëse, moderatore, gazetare e kulturës dhe prinde.

Me të biseduam për shumë tema, duke filluar nga sfidat e prindërimit, artin dhe kulturën, gazetarinë dhe të tjera.

Periudha pas lindjes është periudha kur çdo grua e rizbulon veten, kështu tha Rizvani duke folur për sfidat e grave gjatë prindërimit.

“Ne kur flasim për mëmësinë gjithmonë flasim për nënat, për prindërimin, nuk e përfshijmë dhe partnerin mashkull, që është shumë keq”, tha Rizvani.

Ajo theksoi se periudha e riadaptimit pas lindjes është e vështirë dhe duhet të trajtohet me kujdes.

“Është krejt ideja që të ketë një si me thënë, në qoftë se t’i ke pasur një tetë orarsh në punë, mendoj që nuk është shumë ide e mirë që të fillohet ashtu, pavarësisht që shteti nuk e mendon këtë punë që duhet ngadalë-ngadalë të fillohet”, tha Rizvani mes tjerash.

Ndërkaq duke folur për pjesën si gazetare në kulturë ajo u tregua kritike si ndaj artit dhe artistëve por edhe ndaj politikës.

Ajo tha se në Maqedoninë e Veriut ndodhin shumë gjëra të bukura që nuk përkrahen sa duhet dhe se shumë pak rëndësi u kushtohet ngjarjeve kulturore.

“Artistët nuk vizitojnë punët e njëri tjetrit, me disa përjashtime. Nuk është se janë vizitorë te një art i cili nuk është i veti. Do kisha dashur që të ketë më shumë bashkëpunime në këtë kuptim”, tha Rizvani.

Hapësira kulturore në RMV sipas Rizvanit është e kontaminuar politikisht dhe artistët duhet të japin dorë që kjo të ndryshojë.

“Artistët, arti, institucionet kulturore të kenë autonominë e vetë, të mos politizohen, të mos ndyhen, të mos njollosen artistët, të çlirohen nga ajo vula e politikës që me çdo kusht insiston politika tua mveshë artistëve se pastaj ju bëjnë shumë dëm në përgjithësi. Do kisha dashur që artistët në institucionet kulturore të kenë autonominë e vetë për të zgjedhur udhëheqësit”, tha Rizvani.

Për më tepër ndiqeni episodin e plotë.