VV-ja me Konjufcën synon qeveri afatshkurtër, pa vota të siguruara
Lëvizja Vetëvendosje do të tentojë për herë të dytë që të formojë qeverinë, ndonëse nuk ka vota të siguruara. Të martën, kjo parti ka propozuar për kryeministër nënkryetarin e saj, Glauk Konjufca. E pak orë më vonë, ky propozim është pranuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila e ka mandatuar atë për formim të Qeverisë. Konjufca ka kërkuar mbështetjen e opozitës, por ka përjashtuar mundësinë që të bëjë koalicion me të. Ai ka thënë se synon qeveri për të shmangur zgjedhje në dhjetor dhe miratimin e buxhetit 2026. E partitë opozitare janë shprehur kundër që VV-së t’i jepet mundësia e dytë për formim të Qeverisë, raporton Koha.net.
Presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar për kryeministër, nënkryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, të martën.
Konjufca është kandidati i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje që Osmani e ka mandatuar për postin e kreut të ekzekutivit. Më 26 tetor, i mandatuari i parë, Albin Kurti, që është edhe kryetar i Vetëvendosjes, nuk arriti të marrë votat e nevojshme në Kuvend.
Presidentja Osmani ka thënë se mandatimi i të propozuarit të dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është obligim me të cilin e ngarkon Kushtetuta.
Sipas saj, edhe në takimin e zhvilluar në fund të muajit tetor, por edhe në takimet që ka zhvilluar me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, e atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është bërë e qartë se përveç Lëvizjes Vetëvendosje, partitë e tjera nuk do të dalin me emër për mandatar.
“Neni 95, paragrafi 4 i Kushtetutës të Kosovës përcakton qartë se brenda 10 ditësh presidentja e Republikës emëron kandidatin tjetër, sipas së njëjtës procedurë. Pra, Kushtetuta nuk thotë se presidentja mund të emërojë, por thotë emëron kandidatin tjetër në rast se dështon i pari. Kushtetuta nuk i lë hapësirë dhe as diskrecion kreut të shtetit për mosemërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një propozim të tillë. Përkundrazi gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit që ta emërojë kandidatin e dytë”, ka thënë ajo.
Duke folur në lidhje me kriteret që ka marrë për bazë kur ka mandatuar Konjufcën për kryeministër, Osmani ka përmendur interesin e qytetarëve dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
“Qytetarët kanë humbur mjaftueshëm nga moskrijimi i institucioneve, dhe përtej paragjykimeve politike si presidente kam konstatuar se verdiktin final në qoftë se i mandatuari për kryeministër i ka votat për shumicë apo jo e japin 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Mendoj që është interes i përgjithshëm i Republikës së Kosovës dhe i qytetarëve që të kemi institucione dhe të bëjmë çdo përpjekje të mundshme që ato të krijohen në mënyrë që së paku të miratojnë vendime të rëndësishme në interes të qytetarëve”, ka thënë ajo.
Në mesin e vendimeve që i ka konsideruar të rëndësishme për t’u miratuar, kryetarja e shtetit ka përmendur zgjatjen buxhetore apo edhe buxhetin në tërësi dhe Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian.“Ndër qëllimet kryesore ka qenë që të kemi mundësi të miratojmë zgjatjen buxhetore ose edhe buxhetin në tërësi nëse do të kishte dakordim mes partive politike dhe mbi të gjitha ta miratojmë Planin e Rritjes, nga i cili Kosova përfiton mbi 800 milionë euro, është edhe marrëveshja me Bankën Botërore me rreth 100 milionë euro. Po flasim për rreth gati 1 miliard euro për Republikën e Kosovës, të cilat nuk guxojmë t`i humbasim”, ka deklaruar Osmani.
Në mungesë të institucioneve e mosmarrjen e vendimeve që ka përmendur, sipas saj, rrezikohet funksionalizimi i shtetit.