Vrau nënën e tij me mjet të mprehtë, u arrestua 54-vjeçari nga Shtipi

Një burrë 54-vjeçar nga Shtipi u arrestua herët këtë mëngjes nën dyshimin se ka vrarë nënën e tij rreth orës 2 të mëngjesit në shtëpinë familjare në Shtip. Sipas informacionit të lëshuar nga SPB Shtip, 54-vjeçari S.Z. e sulmoi nënën e tij 84-vjeçare me një objekt të mprehtë, e cila vdiq nga plaga, transmeton Portalb.mk.

Vdekja e gruas u konfirmua nga një mjek në Shërbimin e Urgjencës Mjekësore, dhe me urdhër të prokurorit publik trupi i saj u dorëzua për autopsi.

“Një ekip nga Departamenti i Policisë së Shtipit nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria Publike e Shtipit kreu inspektimin e vendit të ngjarjes, gjatë së cilës u gjet dhe u sekuestrua objekti i mprehtë për procedura të mëtejshme”, tha SPB Shtip.

Ata shtojnë se pas zbardhjes së plotë të rastit, kundër burrit do të ngrihet kallëzim penal me procedurë urgjente sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 2 e Kodit Penal, i cili parashikon dënim me burg prej të paktën dhjetë vjetësh ose burgim të përjetshëm për vrasje gjatë dhunës në familje.