Vrasje në Bogovinë të Tetovës, humbi jetën një person

Sot në fshatin Bogovinë të Tetovës rreth orës 10:15 në një objekt hotelierik është vrarë një banor i fshatit, 47 vjeçari A.XH. SPB-Tetovë ka privuar nga liria një person të dyshuar për ngjarjen e rëndë dhe po punon për zbardhjen e rastit, transmeton Portalb.mk.

Sektori i Punëve të Brendshme bën të ditur se ka arrestuar një person që dyshohet se është përfshirë në këtë vrasje. Bëhet fjalë 50 vjeçarin M.M. Nga Prokuroria Themelore Publike – Tetovë, njashtu bëjnë të ditur se vrasjes i ka paraprirë një debat verbal, dhe se kjo dyshohet të jetë arsyeja e kryerjes së krimit. Prokurori publik kujdestar ka lëshuar urdhër që trupi i të ndjerit të dërgohet për obduksion.

“Prokurori publik kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë ka kryer këqyrje në vendngjarje në Bogovinë, ku një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri. Autori është identifikuar dhe privuar nga liria, si dhe i është gjetur edhe arma me të cilën ka kryer krimin.

Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur në një objekt hotelerie ku në atë moment ndodheshin persona të tjerë. I dyshuari dhe viktima kanë pasur një debat verbal, pas së cilës autori ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka filluar të qëllojë. Prokurori publik ka lëshuar urdhër për obduksion të trupit të të ndjerit, si dhe urdhër për marrjen dhe ekzaminimin e gjurmëve nga vendi i ngjarjes. Intervistat do të zhvillohen me dëshmitarë të ngjarjes dhe me persona të tjerë,”thuhet në kumtesën e Prokurorisë.