VLEN uroi Limanin e Shabanin, duke ua kujtuar rezultatet e tetorit: Shqiptarët u rreshtuan për ndryshim
VLEN përshëndeti përmbylljen e procesit zgjedhor lokal dhe uroi fitoren e kandidatëve Valbon Limani dhe Isen Shabani në zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçishtë. Në saje të këtij urimi, koalicioni nuk e la pa përmendur zgjedhjet e 19 tetorit, kur edhe shënoi fitore në shumicën e komunave. VLEN rikujtoi se rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve lokale konfirmoi mbështetjen e gjerë për ndryshimin, me 10 komuna të fituara, transmeton Portalb.mk.
Sipas koalicionit, shqiptarët folën me një zë të vetëm, duke dërguar mesazh të qartë për të ardhmen. Koalicioni theksoi se do ta shndërrojë këtë besim qytetar në punë konkrete dhe zhvillim real në nivel lokal.
“VLEN është fituesi absolut i zgjedhjeve lokale, me 10 komuna të fituara, duke konfirmuar fuqishëm besimin qytetar dhe mbështetjen e gjerë që shqiptarët i dhanë ndryshimit.
Përshëndesim përmbylljen zyrtare të procesit zgjedhor lokal, i cili u mbyll dje me zgjedhjet e përsëritura në Gostivar dhe Vrapçishtë. Me këtë rast, u urojmë fitoren kandidatëve nga opozita, Valbon Limani dhe Isen Shabani.
Këto zgjedhje dëshmuan qartë se shqiptarët folën me NJË ZË. Dhjetë komunat e fituara janë provë e pakontestueshme se VLEN është lokomotiva politike e shqiptarëve, forca që udhëheq, bashkon dhe sjell ndryshimin e shumëpritur në nivel lokal”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
Kujtojmë se sipas 96,53% të votave të numëruara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), në zgjedhjet e djeshme të përsëritura për kryetarë të katër komunave, koalicioni AKI fitoi dy komuna, VMRO-DPMNE dhe Partia Demokratike e Turqve fituan nga një.
Nga koalicioni AKI fitoi Valbon Limani me 15,345 vota në Gostivar përballë Nevzat Bejtës nga VLEN me 7,510 vota. Isen Shabani në Vrapçisht fitoi me 5,414 vota përballë Zulhajrat Demirit me 3,135 vota, kandidat i pavarur i përkrahur nga VLEN.
Kandidati i VMRO-DPMNE-së, Oner Jakuposki fitoi në Mavrovë Rostushë me 1,982 vota përballë kandidatit të LSDM-së Anes Ahmeti që mori 961 vota.
Ndërsa në Qendër Zhupë me 973 fitoi kandidati i vetëm i paraqitur, Arijan Obrahim nga Partia Demokratike e Turqve.