VLEN: Skandaloze është ndërprerja e marrëveshjes për ndërtimin e fabrikës së veturave elektrike në Tetovë

Pasi Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndërpreu zbatimin e marrëveshjes për ndërtimin e veturave elektrike në Tetovë, kanë reaguar nga VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët – krahu i Taravarit). Ata përmes një aktiviteti ironizues duke u maskuar si zyrtarët e BDI-së e quajtën skandaloz këtë veprim të Qeverisë.

Nga VLEN theksojnë se edhe pas dy viteve premtim, përveç disa lopatave beton, në vendin ku duhej të ndërtohet fabrika për prodhimin e veturave elektrike E-GO, nuk ka asnjë fabrikë e as vetura.

“E ajo që është skandaloze, para disa ditëve qeveria ndërpreu marrëveshjen për ndërtimin e kësaj fabrike. BDI realizoi edhe një mashtrim që i shtohet listës së mashtrimeve dy dekadëshe. Nga Fabrika e premtuar mbetën vetëm fjalimet dhe fotografitë e Ali Ahmetit, Artan Grubit, Dimitar Kovaçevskit, Kreshnik Bekteshit dhe gjithë funksionarëve të BDI-së, të cilët mashtruan, por fytyra nuk u skuqet aspak”, thanë nga VLEN.

Ata theksojnë se BDI duhet të jap llogari dhe tu përgjigjet qytetarëve për dy çështje: Pse u dështoi ndërtimi i fabrikës dhe investimi prej 130 milionë euro dhe a u ka dhënë Qeveria investitorëve para nga buxheti, ashtu siç premtoi se do u japë 45 milion euro.

“Qytetarët duhet ta dinë se dështimi i fabrikës E-GO, gjenezën e ka që në fillim të themelimit të kësaj zone industriale. Kjo hapësirë, nuk iu la në menaxhim shtetit, njëjtë si të gjitha Zonat tjera, por këtë e shndërruan në zonën e vetme Industriale me partneritet publiko privat, me qëllim që tu jepet oligarkëve të BDI-së. Dhe pikërisht, arsyeja pse projekti i fabrikës E-GO dështoi është tentimi për partizimin e asaj fabrike nga BDI, dhe atë me para të qytetarëve nga buxheti i shtetit”, thanë nga VLEN.

Për dështimin e ndërtimit të fabrikës së veturave elektrike në Tetovë kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE, të cilët kërkuan llogari për këtë dështim.

Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, si përfaqësuese e Qeverisë në Marrëveshjen për ndarjen e ndihmës shtetërore me kompaninë e.Go për ndërtimin e fabrikës së veturave elektrike në Tetovë, me 8 mars 2024 informoi se ndërpritet zbatimi i Marrëveshjes dhe çdo procedurë e parashikuar për ndarjen e fondeve publike. Sipas Drejtorisë ndërprerja e dhënies së ndihmës shtetërore vjen pas marrjes së informacionit publik në lidhje me kërkesën e paraqitur për falimentimin e kompanisë “mëmë” në Gjermani.

Shumë premtime, (as)pak aktivitete në terren

Në seancën e Qeverisë të RMV-së me 11 gusht 2022 u miratua ndihma shtetërore për fabrikën e re me teknologji bashkëkohore për prodhimin e veturave elektrike në Zonën zhvillimore teknologjike – industriale në Tetovë.

Ndërkaq për të shënuar fillimin e punimeve të cilat nuk përfunduan asnjëherë deri më tani, Qeveria e RMV-së e udhëhequr nga ishkryeministri Dimitar Kovaçevski më 13 gusht 2022 u mblodhën në Tetovë në Zonën për Zhvillim Industrial dhe Teknologjik.

Pesë muaj më vonë, me 30 janar 2023 drejtori i Zonës Teknologjike Industriale Zhvillimore, Jovan Despotoski, shpjegoi se ka pasur problem me parcelën ku u vu gur themeli dhe se ishte gjetur zgjidhje në një parcelë pranë saj dhe se punimet do fillojnë së shpejti, kurse premtoi se do përfundojnë në afatin e paraparë në vitin 2024.

Dy muaj më vonë, me 24 mars 2023, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se për një muaj do të fillonte ndërtimi, por as kjo nuk u bë.

Me 6 prill 2023, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se fabrika për automjete elektrike në zonën në Tetovë në pajtim me marrëveshjen nuk ka marrë asgjë si ndihmë shtetërore dhe nuk do të marrin ndihmë derisa nuk fillojnë me aktivitete.

Ndërsa një vit pas hedhjes së gur themelit, opozitarja VMRO-DPMNE me 12 gusht 2023 pyeti pushtetin, LSDM-në dhe BDI-në se ku është kjo fabrikë që ata e premtuan dhe e shënuan me festë.

 janar 2024 institucionet bartnin përgjegjësinë te njëra tjetra për procedurën se ku ka ngecur ky proces.

Përndryshe, investim shumëmilionësh i NEXT.E.GO MOBILE SE, Ahen, Gjermani në TIRZ Tetovë pritej të hapë tre deri në katër mijë vende të reja pune.