Visar Ademi e shpalli kandidaturën e tij të pavarur për Komunën e Gostivarit
Përmes rrjeteve sociale, Visar Ademi ka shpallur kandidaturën e tij të pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit. Ademi thotë se vendimin e ka marrë pas shumë bisedash me qytetarë e miq. Ai në video postimin e tij zotohet se do bëjë ndryshimin e gjendjes aktuale politike, transmeton Portalb.mk.
“Gostivari e meriton më mirë, më shumë. Ne të gjithë meritojmë më shumë prandaj së bashku me një grup të rinjsh dhe të rejash të ndershëm e profesionistë kemi vendosur të ngrihemi dhe të luftojmë së bashku. T’i përvjelim mëngët dhe t’i kthejmë qytetit tonë nderin, dinjitetin dhe gjallërinë e munguar. Qyteti nuk është thjesht rrugë dhe ndërtesa, trotuare dhe kanalizim është zemra e shoqërisë, zemra e zhvillimit është shtëpia e jonë. Sot ajo zemër rreh plogësht, rreh dobët sepse është e lodhur nga padrejtësie, vjedhja, varfërimi dhe nga mungesa e shpresës. Unë dua të ndryshoj këtë”, tha në porosinë e tij Ademi.
Visar Ademi është doktor shkence në shkencat ekonomike, figurë publike dhe mjaftë aktiv në skenën politike me komentimin e aktualiteve politike dhe ekonomike.
Në opinion tashmë ka nisur shpallja e kandidaturave për zgjedhjet lokale, të cilat parashihen në tetor. Kandidaturë të pavarur, por për qytetin e Strugës e ka shpallur edhe biznesmeni i njohur strugan Mendi Qyra.