Vetura zyrtare e drejtorit të ‘NPK – Tetova’ u kap natën para një restoranti, ai thotë se inspekton punët sipas planit
Mbrëmë në ora 23:40 para restorantit “Primavera” e njohur për publikun si e afërt me pushtetin lokal në Tetovë, u fotografua vetura zyrtare e drejtorit të NPK “Tetova” Tetovë”, Samet Bislimi. Praktika e përdorimit të veturave zyrtare në mënyrë të parregullt, jashtë orarit të punës, për çështje partiake ose private është vepër që duhet të dënohet thonë nga Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta i Qeverisë. Nga ana tjetër, Bislimi për Portalb.mk thotë se orari i ndërmarrjes është 24 orë dhe se për qëllim të inspektimit të punëve në terren ai obligohet të kontrollojë punët po aty.
“NPK Tetova- Tetovë, orarin e ka 24 orë. Ne dalim dhe inspektojmë punët në terren, se a bëhen sipas planit apo jo. Unë kam edhe foto dëshmi se mbrëmë bashkë me punëtorët kam qenë në terren. Unë gati se cdo natë dal të shoh se a kryen punët sipas planit apo jo”, u deklarua për Portalb drejtori Bislimi.

Në Maqedoninë e Veriut në proces është vendosja e targave të posaçme nëpër vetura zyrtare, të cilët do të dallohen nga veturat e zakonshme, me qëllim që qytetarët të reagojnë dhe të denoncojnë keqpërdorimet.
Shërbimi i punëve të përgjithshme dhe të përbashkëta të Qeverisë ka publikuar edhe e-mail dhe numër, se ku duhet të drejtohen qytetarët nëse hasin në vetura zyrtare që përdoren në mënyrë të parregullt, për cështje partiake ose private.
“Kemi bërë targa të reja që populli të mund t’i identifikojë cilat janë veturat zyrtare. Kemi linjë telefonike dhe email adresë, që të mund të denoncohen. Ne i marrim denoncimet analizojmë bashkë me MPB dhe i dërgojmë në institucionin e personit që ka bërë shkeljen dhe ia bëjmë me dije, drejtorit apo ministrit, pavarësisht kush është udhëheqës i institucionit që të veprojë sipas rregullave dhe ligjit në shtet: A do ta dënojë? A do t’ia marrë veturën? …Pres që të ketë shumë shkelje të këtilla. Por, me kalimin e kohës, vet ata që do tentojnë të bëjnë shkelje do të kenë frikë se do të dalin nëpër media, do bëhen viral dhe nuk do e përsërisin shkeljen”, tha për Portalb.mk, drejtori i SHPPP-së, Ivica Tomovski.
Rregulla për popullin, privilegje për qeveritarët
Portalb.mk ka ndjekur procesin e parkimit të paligjshëm të shoferëve të zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Arben Fetai. Edhe pse dolën në publik veturat e tyre zyrtare para selisë partiake dhe të parkuara gabimisht nuk pati gjoba.
Edhe përkundër njoftimit se për shoferët e zëvendëskryeministrave janë marrë masa adekuate në përputhje me rregullat dhe procedurat disiplinore në fuqi për parkim të parregullt selisë në Shkup të VLEN-it, në bulevardin “Krste Petkov Misirkov”, nga MPB për Portalb.mk njoftuan se të njëjtit nuk janë gjobitur.
“Sektori për Siguri në Komunikacionin Rrugor në SPB Shkup, në kuadër të kompetencave dhe fushëveprimit të tij, gjatë ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve të përditshme në fushën e trafikut, nuk ka marrë asnjë njoftim për automjete të parkuara në mënyrë të paligjshme në atë segment rrugor dhe gjatë aksioneve të rregullta policore nuk janë vërejtur shkelje të kësaj natyre”, thanë nga MPB-ja.
Vendimi për të ndryshuar targat e të gjitha automjeteve zyrtare në pronësi të shtetit u mor në një seancë qeveritare më 29 korrik.
- LEXO: Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi qe deri më 15 shtator të ndryshohen tabelat e veturave zyrtare
- LEXO: Veturat shtetërore të zëvendëskryeministrave Mexhiti dhe Fetai ishin parkuar ilegalisht pranë selisë së VLEN-it, Kasami: Nuk e kam idenë për çfarë janë takuar
- LEXO: Keqpërdorimi i veturave zyrtare, do të gjobiten shoferët e Arben Fetait dhe Izet Mexhitit
- LEXO: Rregulla për popullin, privilegje për qeveritarët: Shoferët e Mexhitit dhe Fetait shpëtuan pa gjoba