Veterania e arsimit Shpresa Sinani, gruaja që punoi pa ndalë për emancipimin e grave

Portalb.mk vazhdon të sjellë profile grash të suksesshme që kanë kontribuuar dhe kontribuojnë për një të ardhme më të mirë të përbashkët në RMV . Mësuesja Shpresa Sinani, veteran e arsimit dhe luftëtare e të drejtave njerëzore dhe barazisë gjinore. Në mungesë të një mirënjohjeje institucionale për gratë pensioniste që kanë punuar aq shumë në fushat e tyre për të mirën e përbashkët, ne si redaksi sjellim në fokus dhe rikujtojmë aktivitetin e tyre. Kësaj radhe prezantojmë njeriun që i ngjan emrit që ka Shpresa Sinanin.

Shpresa Sinani- fotografi nga albumi personal
Shpresa Sinani- fotografi nga albumi personal

Shpresa Sinani lindi më 18 janar në qytetin e Tetovës. Në Tetovë kreu shkollën fillore dhe të mesme ndërsa Fakultetin e Pedagogjisë e kreu në Prishtinë. MË 1968 punësohet si mësuese në shkollën ” Liria” ku punon gjithë jetën derisa pensionohet në vitin 2004.

Ajo tashmë 20 vite është në pension po gjithnjë e gjen duke punuar punë vullnetare me fëmijë. Hera herës i merr fëmijët e lagjes dhe i mëson në shtëpi, u jep detyra, lexojnë tregime dhe kështu i përcjell ditët duke i mbushur me punë dhe duke u përpjekur t’i jap rëndësi më shumë gëzimit se pikëllimit që zë vend të madh në jetën e saj. Zonja Shpresa shkon shpesh në varreza për ta kujtuar shokun e jetës dhe bashkëveprimtarin e idealit ,poetin e profesorin Ramadan Sinanin me të cilin ishin bashkë në protesta, bashkë në ditë të mira e të këqija. Në varreza prehet dhe njëri djalë i saj Visar Sinani i cili iku në moshë të njomë duke u flijuar për liri, për frymë patriotike me të cilin ishin rritur familjarisht bashkë dhe me fëmijët tjerë dhe nipërit e mbesat me të cilët gëzon ditët e pleqërisë.

Shpresa Sinani- fotografi nga albumi personal
Shpresa Sinani- fotografi nga albumi personal

Viti 1968 e gjen profesoreshën në ballë të protestave studentore në Tetovë ku kërkohej përdorimi i flamurit dhe shkollimit shqip. Në këto protesta takoi dhe bashkudhëtarin e jetës. Rruga e tyre si çift qe e mundimshme, me shumë persekutime e përndjekje, burgosje. Shpesh, e vetme, me tre fëmijët e saj do të përpiqet t’ia dalë e vetme duke kujtuar fjalët e babait dhe të burrit që e motivonin të mos dorëzohen dhe të ishte ballë çdo lëvizje që artikulonte kërkesat shqiptare.

Shpresa Sinani- fotografi nga albumi personal
Shpresa Sinani- fotografi nga albumi personal

Në vitin 1992 zgjidhet kryetare e Lidhjes së Gruas Shqiptare në Maqedoni , dega Tetovë. Në kuadër të kësaj lëvizjeje organizon me qindra aktivitete me gratë bashkëveprimtare  te cilat synonin edukimin e grave dhe shkollimin e tyre  duke i bërë faktor vendim- marrës në shoqëri.

Në kuadër të kësaj inicoi dhe botimin e revistës ” Femra jonë” ku temat kishin të bënin me fatin e femrës shqiptare në Maqedoni dhe një kambanë alarmi që të ndryshonin fatin e tyre. Ajo do të jetë pjesë e edukimit të tyre duke u mbajtur kurse grave.

Pikërisht, vitet e ’90 do të shënonin edhe një kthesë në histori duke e përfshirë në protestat për legalizimin e Universitetit të  Tetovës, përdorimit të flamurit, mbledhjen e ndihmave për fëmijët nga Kosova. LGSHM do të ndikojë në strehimin e refugjatëve nga Kosova, si dhe në shumë aspekte tjera të rëndësishme jo vetëm për fatin e femrës por të rolit të shqiptarëve në Maqedoni në përgjithësi.

Shpresa Sinani- fotografi nga albumi personal
Shpresa Sinani- fotografi nga albumi personal

Zonja Shpresa gjithnjë të pret me ëmbëlsi dhe me një urtësi pasi jeta e ka sprovuar me vështirësi të mëdha. Sërish është gruaja e pa epur, e cila punon dhe përfshihet në aktivitete të ndryshme me interes për të.

Nxënësit e saj shpesh shkojnë dhe e vizitojnë ose i shkruajnë letra nga mërgimi për ta përshëndetur me rastin e ndonjë feste mësuesie ose gruaje.

Ajo i mban mend emrat e nxënësve të saj të gjithë duke kujtuar detaje për to me saktësi. Letrat dhe fotografitë i ruan si gjënë më të çmuar dhe shpesh njerëzve ua tregon ato. Kështu i kalon ditët ajo, pak mirënjohje ka marrë nga ajo sa meriton. Por, shpresojmë një ditë të vlerësohet mundi i saj dhe dashuria e puna që ka investuar për ndërrimin e realitetit.