Vetëm tetë trena të parashikuar në orarin e nisjeve për vitin 2024, hekurudha në kolaps (Infografik)

Vitin që vjen nuk do të ketë trena pasagjerësh nga Shkupi drejt Kërçovës, Koçanit dhe Tabanocit, si dhe nuk do të ketë as qarkullim ndërkombëtar hekurudhor nga kryeqyteti maqedonas. Është publikuar orari i Hekurudhave të RMV-Transport, ku thuhet se nga stacioni hekurudhor i Shkupit do të nisen vetëm tetë trena në ditë për në Manastir, Gjevgjeli dhe Veles. Në linjat e tjera nuk do të ketë trena, kështu që qytetarët e Kumanovës, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Shtipit dhe Koçanit zyrtarisht do të jenë pa këtë mjet transporti, shkruan Meta.mk.

Numri i trenave që nisen nga stacioni hekurudhor në Shkup gjatë një dite. Infografik nga Meta.mk
Numri i trenave që nisen nga stacioni hekurudhor në Shkup gjatë një dite. Infografik nga Meta.mk

Orari i trenave për vitin 2024 hyn në fuqi më 10 dhjetor të vitit 2023 dhe do të jetë i vlefshëm deri më 14 dhjetor të vitit 2024. Nga Shkupi për në Manastir ka tre nisje të trenave: në orën 6:53, 14:30 dhe 20:05. Nga Manastiri për në kryeqytet trenat do të nisen në orën 3:14, 12:47 dhe 18:23. Është planifikuar që treni i mëngjesit nga Shkupi të shkojë deri në Zhabeni afër kufirit mes Maqedonisë dhe Greqisë, i cili nga ky vendbanim për në Manastir do të niset në ora 11:00.

Për momentin, dy nga trenat e paraparë të pasagjerëve ndërmjet Shkupit dhe Manastirit nuk janë në qarkullim, ndërsa Hekurudhat e RMV-Transport do të duhet të përcaktojnë se kur do të nisen sërish trenat e orës 18:53 dhe 20:05nga kryeqyteti drejt Manastirit, si dhe nga Manastiri në Shkup në 12:47 dhe 18:23.

Nga 10 dhjetori, nga Shkupi për në Gjevgjeli janë planifikuar të qarkullojnë dy trena, në orën 16:23 dhe 16:55, ndërsa nga Gjevgjelia drejt Shkupit ato do të nisen në 4:48 dhe 17:02.

Orari parasheh edhe tetë palë trena çdo ditë ndërmjet Shkupit dhe Velesit, me nisje nga kryeqyteti në orën 6:23, 6:53, 9:00, 13:20, 14:30, 16:55, 20:05 dhe 22:40 , ndërsa nga stacioni hekurudhor në Veles në drejtim të kundërt do të nisen në ora 5:03, 5:46, 6:27, 12:10, 14:24, 15:24, 18:40 dhe 20:57.

Hekurudhat e RMV-Transport në fillim të vitit i ndërprenë trenat në relacionin Shkup-Tabanoc-Shkup, ndërsa në vitin 2021 u ndërpre komunikacioni hekurudhor nga Shkupi drejt Kërçovës, Koçanit dhe Prishtinës. Tashmë disa vite nuk qarkullojnë trenat e shpejtë nga Shkupi drejt Beogradit dhe Selanikut, kështu që qytetarët e vendit tonë ka një kohë të gjatë që nuk mund ta shfrytëzojnë transportin hekurudhor ndërkombëtar.

Përndryshe, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se bashkë me anulimin e linjave të trenave edhe interesimi i qytetarëve për të udhëtuar me tren në Maqedoni ka rënie. Nga muaji janar deri në shtator të këtij viti, me tren kanë udhëtuar vetëm 231 mijë pasagjerë, që është e barabartë me numrin e qytetarëve të transportuar gjatë pandemisë së Covid-19, kur kishte më shumë orë policore dhe kufizime të lëvizjes.

Numri i pasagjerëve në transportin hekurudhor të pasagjerëve këtë vit kanë rënë ndjeshëm në krahasim me vitin e kaluar. Pra, në periudhën nga qershori deri në shtator të vitit 2022, me tren kanë udhëtuar 108.000 persona, ndërsa me Hekurudhat e RMV-Transport në të njëjtën periudhë të vitit janë transportuar vetëm 56.000 pasagjerë.

Me këtë orar të trenave Maqedonia do të mbetet në fund të Evropës për nga numri i trenave të pasagjerëve. Për momentin  më pak trafik hekurudhor ka vetëm në Shqipëri, me dy trena në ditë dhe në Kosovë, ku ka katër trena pasagjerësh në ditë.

Meta.mk tashmë për një kohë të gjatë po shkruan se mjeti më i lirë dhe më ekologjik i transportit të pasagjerëve në vend po vdes për shkak të mungesës së investimeve të nevojshme në transportin hekurudhor.

Të dhënat statistikore tregojnë se në periudhën para vitit 2015, me tren në vendin tonë udhëtonin mbi një milion pasagjerë në vit, ndërsa në kohën e Jugosllavisë, hekurudha ka regjistruar mbi 6 milionë pasagjerë të transportuar me trenat e asaj kohe, si në trafikun e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar.