Vetëm në 1 nga 10 fakultete në RMV, studentët me aftësi të kufizuara mund të marrin literaturë në format të qasshëm

Sot, Fondacioni për Demokraci të Uestminsterit (WFD) organizoi një ngjarje publike për të prezantuar gjetjet kryesore të Analizës për qasjen në arsimin e lartë të personave me aftësi të kufizuara të cilën e përgatiti Shoqata për teknologji asistive “Hapni dritaret” në bashkëpunim me Avokatin e Popullit, dhe me mbështetjen e WFD-së në kuadër të projektit “Praktiko demokraci” të mbështetur nga Ambasada Britanike në Maqedoninë e Veriut.

Analiza përcakton qasshmërinë fizike të fakulteteve shtetërore, literaturën në dispozicion, teknologjinë ndihmëse dhe llojet tjera të mbështetjes për studentët me aftësi të kufizuara. Analiza u krye përmes një pyetësori të plotësuar nga 40 fakultete, këqyrjes në terren të qasshmërisë fizike të 17 fakulteteve në 4 kampuse universitare, si dhe grupe të fokusit dhe intervista.

Sipas analizës, në 55% të fakulteteve nuk ka studentë me aftësi të kufizuara ose fakultetet nuk mbajnë statistika për numrin e studentëve me aftësi të kufizuara. Asnjë fakultet nuk i publikon komunikatat, politikat dhe dokumentet e tij në formatin Brail, në format të qasshëm audio ose shkrim standard në një format të zmadhuar. Një pjesë e madhe e sallave për ligjërata dhe bibliotekave kanë qasshmëri të kufizuar fizike, madje 55% e fakulteteve nuk kanë ashensor, edhe pse fakultetet janë në më shumë kate. Për 40% të studentëve me aftësi të kufizuara, transporti publik është krejtësisht i pa qasshëm. Vetëm në 10% të fakulteteve, studentët me aftësi të kufizuara mund të marrin formalisht literaturë në një format të qasshëm (audio ose digjital), dhe 90% e fakulteteve nuk ofrojnë teknologji asistive për studentët që kanë nevojë për të.

Zëvendës Avokati i Popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa potencoi se kjo analizë është hapi i parë drejtë pavarësisë së personave me aftësi të kufizuara dhe mundësimit të të drejtës së tyre për arsim të lartë, dhe veçanërisht duke marrë parasysh se përballemi me mungesën e të dhënave në këtë fushë dhe dukshmërinë e studentëve me aftësi të kufizuara.

“Sipas informacioneve tona, numri më i madh i të rinjve me aftësi të kufizuara pas përfundimit të arsimit të mesëm nuk vendosin të vazhdojnë arsimin e tyre për shkak të mungesës së qasjes përkatëse. Numri i 50 studentëve në të tre ciklet e studimeve alarmon për këtë problem. Si shoqëri, ne duhet të punojmë në mënyrë më të përkushtuar për të mundësuar jetë dhe arsim të lartë për njerëzit me aftësi të kufizuara”, tha Bajramovska-Mustafa.

Ngjarje publike për gjetjet e Analizës për qasjen në arsimin e lartë të personave me aftësi të kufizuara, foto: Fondacioni Uestminster RMV
Ngjarje publike për gjetjet e Analizës për qasjen në arsimin e lartë të personave me aftësi të kufizuara, foto: Fondacioni Uestminster RMV

Sipas deputetes Zhaklina Lazarevska nga Grupi parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara anëtarët e grupit parlamentar ndërpartiak përpiqen për zbatimin e plotë të Konventës për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Strategjia kombëtare për arsim si dhe Strategjia kombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara përmbajnë aktivitete të shumta që janë përgjithësisht në kompetencë të Ministrisë së arsimit dhe shkencës me qëllim të avancimit të vazhdueshëm të të drejtave të të rinjve dhe krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës. Është obligim i yni që të sigurojmë që edhe personat me aftësi të kufizuara të kenë qasje në arsimin e lartë pa diskriminim dhe në bazë të barabarta me të tjerët, pavarësisht nga autonomia e universiteteve. Analizat e këtij lloji duhet të prezantohen edhe para deputetëve me praninë e detyrueshme të përfaqësuesve të universiteteve“, tha Lazarevska.

Kryetari i Komisionit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, Ismail Kamberi theksoi se çdo person ka perspektivat dhe potencialin e tij unik, detyrimi ynë është t’i mundësojmë çdo individi të përparojë në shoqëri pa diskriminim.

Ngjarje publike për gjetjet e Analizës për qasjen në arsimin e lartë të personave me aftësi të kufizuara, foto: Fondacioni Uestminster RMV
Ngjarje publike për gjetjet e Analizës për qasjen në arsimin e lartë të personave me aftësi të kufizuara, foto: Fondacioni Uestminster RMV

“Komisioni deri më tani ka vërtetuar diskriminim në 11 raste, 2 prej të cilave janë në fushën e arsimit. Vetëdijesimi, qasshmëria dhe zhvillimi i politikave të barazisë janë thelbësore për shoqërinë tonë. Politikat për të siguruar barazi dhe gjithë përfshirje në fushat e punësimit, arsimit dhe integrimit social janë thelbësore për shfrytëzimin e potencialit të personave me aftësi të kufizuara në shoqërinë tonë në tërësi. Masa për avancimin e shtetit nuk qëndron vetëm në rritjen e tij ekonomike, por edhe në mënyrën se si ne i trajtojmë personat e margjinalizuar në shoqëri“, tha Kamberi

Drejtoresha e WFD-së në Maqedoninë e Veriut, Dona Kosturanova, theksoi se për të pasur barazi të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri, një nga parakushtet është qasja e barabartë në arsim, duke përfshirë edhe arsimin e lartë.

“Për momentin, arsimi i lartë është i pa qasshëm për shumë persona me aftësi të kufizuara, gjë që kufizon mundësitë e tyre për zhvillim arsimor dhe profesional dhe ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës dhe mundësitë”, tha Kosturanova.

Për qasje më të barabartë në arsimin e lartë, analiza rekomandon që qasshmëria duhet të jetë një kriter në prokurimin, rindërtimin dhe planifikimin strategjik të fakulteteve dhe konvikteve të studentëve, për të siguruar teknologji dhe pajisje ndihmëse, dhe për të siguruar literaturë profesionale dhe shkencore në formate të qasshme, si dhe transport të qasshëm për studentët me aftësi të kufizuara. Ndër të tjera, është e detyrueshme të fillohet mbajtja e një regjistri digjital të statistikave për studentët me aftësi të kufizuara, të planifikohen më mirë nevojat e tyre dhe gjithë përfshirja e fakultetit, si dhe të caktohen formalisht asistentët administrativë për të mbështetur studentët me aftësi të kufizuara.