“Vetëm 9 mijë euro”: Zëvendësministrja relativizon dyshimet për pagesat ndaj Komunës së Çairit, pa përgjigje konkrete për konfliktin e interesit

Deklaratat e zëvendësministres Kaltrina Zekolli Shaqiri të dhëna së fundmi në Lajm TV lidhur me hulumtimin e Portalb.mk për pagesat që Komuna e Çairit i ka ndarë ndaj biznesit të saj, kanë nxitur kritika të forta në opinion duke hapur dilema për përgjegjësinë publike dhe transparencën, shkruan Portalb.mk. Në deklaratat e saj ka disa përgjigje që janë lënë anash kurse disa të tjera janë gjeneralizuar dhe minimizuar. Lënda ende është në Antikorrupsion, konfirmojnë nga atje për redaksinë tonë.

Në vend të sqarimeve konkrete për rastin, Zekolli është përqendruar në justifikime me jetën e saj personale, duke theksuar se është “nënë e dy fëmijëve” dhe se “pas vdekjes së bashkëshortit ka trashëguar biznesin”, qasje që shihet si tentativë për viktimizim, duke mos e adresuar thelbin e akuzave.

Ajo ka relativizuar edhe shumën, duke deklaruar se bëhet fjalë për “vetëm 9 mijë euro”, madje duke thënë se është politikane që akuzohet për shumën më të ulët.

“Ta potencojmë se në një botë aq korruptive, me një të kaluar aq korruptive në vendin tonë ku gjithmonë flitet për miliona, jemi duke folur për nëntë mijë euro keqpërdorim. Këtu besoj e kam vendin e parë të paktën që akuzohem për një shifër më të ulët në historinë e politikanëve”, tha Zekolli Shaqiri.

Kjo përgjigje ka nxitur reagime, pasi shmang thelbin e problemit, përdorimin e parasë publike pa transparencë dhe konkurrencë, pavarësisht vlerës.

Megjithatë, pyetja thelbësore mbetet pa përgjigje, pse dhe si Komuna e Çairit ka ndarë mijëra euro për lokalin “1sh”, ku ajo është pronare.

Vetë Zekolli është shprehur se nuk e di se çfarë ka bërë komuna me kafiterinë e saj, duke shmangur përgjegjësinë për transaksionet që lidhen drejtpërdrejt me biznesin e saj.

“Te 1Shi nuk kam qenë fare e kyçur në kuptimin e udhëheqësisë sepse kemi drejtues të një firme dhe pronar, si pronare, si nënë e dy fëmijëve me shumë angazhime tjera më së paku e kam parë të nevojshme unë të kyçem aty te lokali”, tha Zekolli Shaqiri.

Një tjetër deklaratë që ka ngritur shqetësime është ajo se “nuk ka telefonuar për të ndikuar”, duke lënë të kuptohet se ndërhyrja mund të jetë praktikë e zakonshme, ndonëse pretendon se në këtë rast nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Reagim ka pasur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), të cilët e kanë cilësuar deklaratën “vetëm 9 mijë euro” si fyese për qytetarët dhe tentativë për relativizim të keqpërdorimit të parasë publike.

“Vetëm 9 mijë euro? Skandal që relativizohet keqpërdorimi i parave publike Deklarata e zëvendësministres Katrina Zekolli se është “politikane e vetme që akuzohet vetëm për 9 mijë euro” është skandaloze dhe fyese për qytetarët. Në vend të përgjegjësisë për rastin ku Komuna e Çairit paguante mijëra euro në restorantin ku ajo figuron pronare, po tentohet relativizimi i dyshimeve për korrupsion. Paratë publike nuk maten me “vetëm”. Edhe një euro e keqpërdorur është shumë”, thanë nga BDI Çair.

Pas hulumtimit të Portalb.mk për këtë rast, Komisioni Shtetëror për Antikorrupsion hapi lëndë, por kjo lëndë është zvarritur dhe nuk ka ende vendim.

“Procedura për rastin është në vijim. Pas përcaktimit të gjendjes faktike në këtë rast konkret, do të merret vendim në seancë publike të KSHPK-së”, thanë për Portalb.mk nga Antikorrupsioni.

Duke u mbrojtur se “nuk është paraqitur në telefon të ndikojë në rast”, Zekolli Shaqiri tha se nëse Antikorrupsioni vlerëson se është bërë lëshime ose keqpërdorime “unë jam këtu qëndroj publikisht dhe do të bart përgjegjësi”.

Kujtojmë se Portalb.mk në qershor 2025 zbuloi se mijëra euro nga Komuna e Çairit i janë ndarë në mënyrë sistematike kafiterisë ‘1sh’ në pronësi të zëvendësministres së Transportit dhe ndër njerëzve më të afërm të Izet Mexhitit, Kaltrina Zekolli Shaqirit.

Mjetet janë ndarë pa shpallje publike dhe me marrëveshje sy-më-sy.

Afër 9 mijë euro i janë lëshuar kësaj kafiterie që kur Zekolli-Shaqiri është zëvendësministre, për më pak se 1 vit.

Fqinjët e intervistuar nga Portalb-i thanë se kafiteria më së shpeshti frekuentohet nga aktivistë të Lëvizjes Demokratike.

Komuna e Çairit s’i komentoi transaksionet e vjetra, tha se në vitin 2025 aty janë ushqyer sportistët e Çairit kur kanë pasur gara, gjithashtu nuk përgjigjet se pse vetëm ky lokal ndër vite kryen këtë ‘shërbim’ për ata, pa ju dhënë mundësi bizneseve tjera.

Zëvendësministrja theksoi se është vetëm pronare dhe se nuk merret me pjesën e pagesave.

Për këtë rast më pas reaguan edhe partitë politike.