Vendimi i SHBA-së për vizat: Çfarë ndryshon dhe çfarë mbetet e njëjtë?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur pauzë të përkohshme në lëshimin e vizave imigruese për shtetasit e disa vendeve, duke filluar nga 21 janari 2026, si pjesë e rishikimit të politikave të emigracionit. Vendimi synon të sigurojë që emigrantët të jenë të vetëmjaftueshëm financiarisht dhe të mos bëhen barrë për sistemin social amerikan. Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, sqaroi se kjo nuk është ndalim apo listë e zezë, por vetëm pezullim procedural. Ai theksoi se vizat jo-imigruese, si turistike, studentore dhe programi “Punë dhe Udhëtim”, nuk preken nga ky vendim, transmeton Portalb.mk.

“Bëhet fjalë për pauzë në procedurat që lidhen me vizat e emigrantëve. Nuk është listë e zezë apo pezullim. Mendoj se është korrekte para opinionit të themise kjo nuk ndikon në të gjitha procedurat e tjera të vizave për Shtetet e Bashkuara”, tha Mucunski.

Ministri sqaroi se lëshimi i vizave turistike, vizave studentore, si dhe vizave në kuadër të programit “Punë dhe Udhëtim” nuk kërcënohet.

“Kjo nuk ndikon në të gjitha procedurat e tjera për lëshimin e vizave për në SHBA. Nëse jeni biznesmen, do të jeni të lirë të aplikoni për vizë, nëse jeni student që dëshiron të studiojë në SHBA ose të shkojë në “Punë dhe Udhëtim”, kjo do të thotë se nuk ka pengesë për ju. Nëse dëshironi të udhëtoni si turist, Kupa e Botës në futboll do të mbahet në SHBA, do të jeni gjithashtu në gjendje të udhëtoni si turist”, tha Mucunski.

Ai tha se në gjashtë muajt e ardhshëm, publiku do të befasohet pozitivisht nga ajo që mund të ndodhë në zhvillimin e politikës së vizave të SHBA-së ndaj vendit tonë, gjegjësisht, siç tha ai, le të fillojmë të mbyllim çështjet që kemi tentuar t’i mbyllim për 20 vjet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur një vendim të ri lidhur me politikën e tyre të emigracionit, i cili ka ngjallur interes dhe shqetësim në opinionin publik të disa vendeve, përfshirë edhe vendin tonë. Ky vendim lidhet me pezullimin e përkohshëm të lëshimit të vizave imigruese për shtetasit e një liste të gjatë vendesh, me arsyetimin se administrata amerikane dëshiron të rishikojë politikat ekzistuese dhe të sigurojë që emigrantët të jenë të vetëmjaftueshëm financiarisht dhe të mos bëhen barrë për sistemin social amerikan.

“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë të vetëmjaftueshëm financiarisht dhe të mos jenë barrë financiare për amerikanët. Departamenti i Shtetit po i nënshtrohet një shqyrtimi të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihmën sociale në Shtetet e Bashkuara ose të mos bëhen barrë publike”, thuhet në të dhënat që i siguroi Ambasada redaksisë së Portalb.mk.

Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit po pezullon të gjitha lëshimet e vizave për aplikantët për viza imigrantësh që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:

Afganistani, Shqipëria, Algjeria, Antigua dhe Barbuda, Armenia, Azerbajxhani, Bahamas, Bangladeshi, Barbadosi, Bjellorusia, Belize, Butani, Bosnja dhe Hercegovina, Brazili, Burma, Kamboxhia, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Dominika, Egjipti, Eritrea, Etiopia, Fixhi, Gambia, Gjeorgjia, Gana, Grenada, Guatemala, Guinea, Haiti, Irani, Iraku, Xhamajka, Jordania, Kazakistani, Kosova, Kuvajti, Republika e Kirgistanit, Laosi, Libani, Liberia, Libia, Moldavia, Mongolia, Mali i Zi, Maroku, Nepali, Nikaragua, Nigeria, Maqedonia e Veriut, Pakistani, Republika e Kongos, Rusia, Ruanda, Shën Kits dhe Nevis, Shën Lucia, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegali, Sierra Leone, Somalia, Sudani i Jugut, Sudani, Siria, Tanzania, Tajlanda, Togo, Tunizia, Uganda, Uruguai, Uzbekistani dhe Jemeni.

Presidenti Donald Trump ka theksuar se emigracioni duhet të jetë i rregulluar dhe në përputhje me interesat ekonomike dhe sociale të SHBA-së. Në këtë kuadër, Departamenti i Shtetit ka nisur një shqyrtim të plotë të rregulloreve dhe udhëzimeve për vizat imigruese, duke vendosur një pauzë procedurale për lëshimin e tyre për shtetasit e vendeve të konsideruara me rrezik më të lartë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është se aplikantët për viza imigruese mund të vazhdojnë të aplikojnë dhe të marrin pjesë në intervista, por gjatë kësaj periudhe pauze nuk do t’u lëshohen viza. Gjithashtu, personat me shtetësi të dyfishtë që aplikojnë me pasaportë të një vendi që nuk është në listë, përjashtohen nga ky pezullim. Po ashtu, asnjë vizë imigruese ekzistuese nuk është revokuar si pasojë e këtij vendimi.

Pyetje të shpeshta që bëhen lidhur me këtë vendim:

Çfarë ndodh me takimin tim të intervistës për vizë imigruese?
Aplikantët për vizë imigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të paraqesin aplikime për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë aplikantët për takime, por nuk do t’u lëshohen viza imigruese këtyre shtetasve gjatë kësaj pauze.

A ka ndonjë përjashtim?
Shtetasit e dyfishtë që aplikojnë me pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është listuar më sipër janë të përjashtuar nga kjo pauzë.

A ndikon kjo në vizën time aktuale të vlefshme?
Asnjë vizë imigruese nuk është revokuar si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje në lidhje me pranimin në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë DHS-së.

A vlen kjo për vizat turistike?
Jo, kjo pauzë është posaçërisht për aplikantët për vizë imigruese. Vizat turistike janë viza jo-imigruese.

Kujtojmë se Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) lëshoi ​​mbrëmë reagim pasi Departamenti i Shtetit njoftoi se kishte pezulluar përpunimin e vizave të emigrantëve për qytetarët e 75 vendeve, përfshirë Maqedoninë, dhe akuzoi VMRO-DPMNE-në në pushtet se në këtë mënyrë e ka futur vendin në një nivel me Somalinë.