Ministri Sali priti ambasadorin e Francës në RMV, në fokus përmbushja e detyrimeve nga raportet e skriningut

Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, realizoi sot takim pune me Ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoninë e Veriut, Kristof Le Rigoler, ku u diskutua për procesin e integrimit evropian të vendit, prioritetet reformuese dhe bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve. Në fokus të bisedimeve ishte edhe gjendja aktuale e procesit të anëtarësimit, përfshirë përmbushjen e detyrimeve nga raportet e skriningut, finalizimin e udhërrëfyesve për Sundimin e Ligjit dhe Reformën e Administratës Publike, si dhe avancimin e kërkesave të tjera që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike, transmeton Portalb.mk.

Në takim, siç njoftojnë nga Ministria, ministri Sali shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj rrugëtimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për kontributin konkret në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e reformave. Ai theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe reformat e ndërlidhura do të jenë prioritet kryesor në punën e tij si Ministër për Çështje Evropiane.

“Palët shkëmbyen mendime për zhvillimet aktuale në politikën e zgjerimit të BE-së dhe rëndësinë e ruajtjes së ritmit të reformave, duke shfrytëzuar momentumin pozitiv në rajon. Ministri Sali theksoi angazhimin për forcimin e rolit koordinues të Ministrisë për Çështje Evropiane, për operacionalizimin e strukturave kombëtare për negociatat dhe Agjendën e Reformave, si dhe për rritjen e absorbimit të fondeve të BE-së”, thuhet në njoftim.

Ministri Sali theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj agjendës evropiane, duke ruajtur harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si dëshmi e qartë e orientimit strategjik drejt anëtarësimit.

“Në këtë kuadër, u vlerësua edhe bashkëpunimi me “Expertise France” dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), si dhe programet e mbështetjes në fushën e zhvillimit institucional dhe ngritjes së kapaciteteve të administratës, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt në përafrimin me standardet e BE-së”, thonë nga MÇE.

Në përfundim, të dy bashkëbiseduesit riafirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të dialogut politik dhe bashkëpunimit në sektorë me interes të përbashkët, si energjia, transformimi digjital, infrastruktura, arsimi dhe kultura, si dhe për vazhdimin e koordinimit të ngushtë në mbështetje të procesit të zgjerimit të BE-së.

Ndryshe, viti 2025 ishte një nga periudhat më stagnuese për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Megjithëse Bashkimi Evropian e përsëriti se dera për zgjerim mbetet e hapur, procesi i anëtarësimit të vendit mbeti i ngrirë për shkak të mosrealizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mosmarrëveshjeve të thella me Bullgarinë. Diskutimi për BE-në u shndërrua nga një projekt shtetëror në një temë përplasjeje të ashpër politike, ku identiteti, gjuha dhe garancitë evropiane dominuan debatin publik. Eksponentët qeveritarë patën vetëm fjalë ndërsa në fund të vitit, Maqedonia e Veriut nuk arriti asnjë hap konkret drejt hapjes së kapitujve negociues, duke mbetur prapa Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Pavarësisht kësaj, vendi nuk e ka ndërmend të ndërmarrë asnjë hap më tutje pa garanci, BE-ja nuk ofron një gjë të tillë, ndërsa Bullgaria thotë se nuk ka kushte tjera, por pala maqedonase është skeptike. Këto ishin ngjarjet kryesore në 2025 në rrugën eurointegruese të RMV-së.