Vendimet gjyqësore të padobishme, partitë dhe komunat në RMV nuk sigurojnë kushte për votim për personat me aftësi të kufizuara

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Qeveria nuk po e zbatojnë Vendimin e Gjykatës Civile, të konfirmuar nga Gjykata e Apelit e Shkupit, i cili i detyron ata t’u mundësojnë personave me aftësi të kufizuara të votojnë në zgjedhje. Shumë qendra votimi nuk kanë rampa për karrige me rrota dhe nuk ka materiale zgjedhore nga partitë të përshtatura për të verbërit, të shurdhërit ose personat me lloje të tjera të aftësive të kufizuara, në mënyrë që ata të dinë për kë të votojnë, raporton SDK, transmeton Portalb.mk.

Sa për kujtim, ata nuk janë në grupin e “personave të sëmurë dhe të pafuqishëm”, shtëpitë e të cilëve anëtarët e këshillave zgjedhore vizitojnë të shtunave për të votuar, por janë në listën e votuesve me të gjithë qytetarët e tjerë me të drejtë vote.

Në zgjedhjet e vitit 2020, një numër i madh personash me aftësi të kufizuara nuk shkuan të votonin, sepse shteti i trajton ata sikur të mos ekzistonin, prandaj Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ngriti padi në vitin 2021 për mbrojtje nga diskriminimi në interes publik (actio popularis) të personave me aftësi të kufizuara në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar dhe shkelje të parimit të akomodimit të arsyeshëm.

Gjykata e Apelit e Shkupit, me një vendim të vitit 2023, e mbështeti plotësisht vendimin e Gjykatës Themelore Civile të Shkupit. Ky vendim përcaktoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) kryen diskriminim të drejtpërdrejtë ndaj personave me aftësi të kufizuara në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar.

“Gjykata urdhëroi Qeverinë dhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme, të sigurojnë në qendrat e votimit ku kjo nuk ka qenë e mundur deri më tani:

  • qasje, rrugë të sheshta, vende parkimi të shënuara në mënyrë të përshtatshme me bojë me kontrast të lartë, vendosjen e tabelave dhe numrave në një vend të dukshëm në një format më të madh me kontrast të lartë ose sinjalizim zanor për qendrat e votimit;
  • qasje në hapësirat e votimit duke vendosur parmakë përgjatë shkallëve dhe mureve, duke instaluar rampa aksesi, parmakë, hyrje më të gjera, një ashensor të qasshëm ose platforma që janë në nivele dhe me shkallë;
  • qasje në hapërsirën e votimit, ndriçimi i saj i barabartë, rishpërndarja e mobiljeve për shkak të aftësisë më të madhe për të lëvizur; vendosja e ekraneve të votimit të adaptuara në mënyrë të përshtatshme dhe vendosja e kutisë së votimit në një lartësi të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara fizike.

Është e rëndësishme të theksohet se vendosja e thjeshtë e kornizave nuk do të thotë përmbushje e detyrimeve, qendrat e votimit duhet të adaptohen në mënyrë të plotë dhe të përshtatshme”, kërkoi Tona Kareva nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

SDK kontaktoi KSHZ-në për ta pyetur nëse vendimi është zbatuar dhe kur Komisioni dhe Qeveria do të zbatojnë urdhrat e gjykatës.

“Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, KSHZ-ja dhe Qeveria nuk janë më pronarë të qendrave të votimit, por komunat. Edhe nëse do të donim, nuk kemi autoritet ligjor për të rregulluar qendrat e tyre të votimit. Megjithatë, ne kemi blerë mbi 120 rampa për qasje nga personat me aftësi të kufizuara në qendrat e votimit, aty ku nuk ka. Ne vazhdimisht u bëjmë thirrje komunave, nëse nuk ka diku, të vijnë dhe të marrin rampa. Si KSHZ, ne apelojmë të sigurohen të gjitha kushtet për qasje të papenguar dhe ushtrim të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët, veçanërisht personat me aftësi të kufizuara”, na tha Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

SDK kontaktoi BNJVL-në për të pyetur nëse komunat mund ta zbatojnë vendimin.

“Kjo është hera e parë që dëgjojmë për një vendim të tillë kundër Qeverisë dhe KSHZ-së. Askush nuk na ka informuar. Është fat që votimi po zhvillohet në shkolla dhe kopshte, dhe fat që shumica e tyre kanë rampa për personat me aftësi të kufizuara fizike”, thanë nga BNJVL.

Prandaj, shumica e qendrave të votimit ende nuk do të kenë vende parkimi të aksesueshme, do të mbeten pa tabelë dhe rampë universale aksesueshmërie, pa shkallë për të arritur në hapësirat e votimit dhe pa ashensor.

Gjykata kontrolloi dhe përcaktoi që personat me aftësi të kufizuara nuk kanë qasje në informacion në lidhje me debatet, fushatat dhe ngjarjet politike.

Sa përkujtesë, Qeveria dhe KSHZ-ja, në anën e të cilave ishte barra e provës, sipas Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, nuk propozuan prova për të mbrojtur veten në atë kohë.

Gjykata deklaroi se në një shoqëri demokratike është e nevojshme të mbrohet e drejta e votës së personave me aftësi të kufizuara, të mundësohet gëzimi dhe ushtrimi i kësaj të drejte dhe se përshtatjet e nevojshme në qendrat e votimit duke siguruar qasje në dhe në mjediset e votimit në përputhje me nevojat e personave me aftësi të kufizuara nuk përbëjnë barrë disproporcionale ose të panevojshme.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.