Edhe pesë ditë kanë mbetur për regjistrimin e veturave zyrtare në Regjistrin e Antikorrupsionit para zgjedhjeve lokale në RMV
Deri në mesditën e sotme, më shumë se 380 automjete janë regjistruar në Regjistrin e automjeteve të organeve shtetërore, organeve të vetëqeverisjes lokale, Ndërmarrjeve Publike ose personave të tjerë juridikë që disponojnë me kapital shtetëror pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në përputhje me vendimin për regjistrimin e automjeteve zyrtare para zgjedhjeve lokale të planifikuara për 19 tetor, transmeton Portalb.mk.
Organet shtetërore, organet e vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjet publike ose personat e tjerë juridikë që disponojnë me kapital shtetëror kanë afat prej dhjetë ditësh nga shpallja e zgjedhjeve për të paraqitur të dhëna mbi automjetet që disponojnë në KSHPK. Antikorrupsioni publikon regjistrin në faqen e saj të internetit.
Sipas afateve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHK), afati skadon më 18 gusht 2025.
Nëse personat juridikë nuk paraqesin informacion mbi numrin, llojin, targën dhe gjendjen e drejtimit të automjeteve që kanë brenda afatit të përcaktuar, KSHPK fillon procedurë kundërvajtjeje brenda 15 ditëve nga skadimi i afatit për paraqitjen e të dhënave.
Regjistrimi i automjeteve institucionale kryhet me qëllim që të parandalohet përdorimi i tyre nga zyrtarët dhe personat e tjerë të emëruar dhe të zgjedhur për nevojat e fushatave zgjedhore.
Nga ana tjetër, Qeveria ka vendosur që të gjitha automjetet zyrtare do të marrin targa me ngjyrë të veçantë, të kuqe, jo më vonë se 15 shtatori 2025, me qëllim rritjen e transparencës dhe parandalimin e abuzimit. Gjithashtu është planifikuar të futet një regjistër i veçantë i makinave shtetërore, i cili do të mundësojë regjistrime të sakta të vendndodhjes dhe përdorimit të çdo automjeti zyrtar.