Pas dy vitesh bllokadë, prej sot në RMV filloi procesi i dhënies së provimeve për licencë pune në kopshte
Pas një ndërprerjeje dyvjeçare, sot filloi procesi i marrjes së licencës së punës për edukatorët, kujdestarët, punëtorët profesionalë, bashkëpunëtorët dhe drejtorët, që është parakusht i detyrueshëm për punësim në kopshte, transmeton Portalb.mk.
Sot, rreth 350 persona po japin provimin profesional në Fakultetin Filozofik në Shkup, dhe siç tha ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani, deri në fund të këtij muaji edhe 350 kandidatë të tjerë do të kenë mundësinë ta përfundojnë këtë proces dhe të marrin licencë pune përkatëse.
“Dua t’ju informoj se më në fund kemi zhbllokuar procesin e dhënies së provimeve profesionale për dhënien dhe marrjen e licencave të punës në institucionet e kujdesit për fëmijë, një proces që ka ngecur që nga viti 2023. Për shkak të një sistemi jofunksional të provimeve elektronike, një numër i madh kandidatësh nuk mundën ta jepnin provimin, gjë që shkaktoi ngecje pikërisht kur kishim nevojën më të madhe për staf në kopshte në nivel kombëtar. Për të kapërcyer këtë problem dhe këtë situatë, kemi bërë ndryshime në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, të cilat lejojnë që provimi profesional të zhvillohet në formë letre deri më 1 janar 2026, dhe pas këtij afati procesi i licencimit do të vazhdojë elektronikisht”, tha ministri.
Limani shtoi se të gjitha aplikimet e pranuara për marrjen e licencës po shqyrtohen në detaje, dhe secili aplikant do të kontaktohet nga Komisioni.
Ministri theksoi se me ndryshimin e ligjit krijohen kushte për punësime të reja dhe mbështeten profesionistët e rinj, të cilët do të kontribuojnë në ndërtimin e së ardhmes së gjeneratave më të reja.