Vendet që preferohen më së shumti nga turistët në Maqedoninë e Veriut

 

Në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit maj ka pasur 106 604 turistë, prej të cilëve 79 448 janë turistë të huaj, që kryesisht vijnë nga Turqia, transmeton Portalb.mk.

Turistët vendas dhe të huaj më së shumti preferojnë të shkojnë në vende me liqen (43 521) dhe në kryeqytet (39 667), ndërsa 5 097 turistë kanë preferuar të vendosen në vende malore, 2 856 në vende me ujëra termik, ndërsa 15 463 në vende tjera.

Në Maqedoninë e Veriut kryesisht turistët vendosen në hotele me katër yje (48 105), hotele me pesë yje (32 790) dhe hotele me tre yje (14 929). Në shtëpi, apartamente dhe dhoma me qira janë vendosur (2 056), ndërsa një numër i vogël vendosen edhe në bujtina, motele, banja shëruese, shtëpi mali dhe kampe.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit prill është regjistruar rritje e numrit të turistëve për 16.9 përqind në krahasim me prillin e vitit të kaluar.

Më së shumti turistë kanë ardhur nga Turqia (25 324), Serbia (5 006), Gjermania (3 254), Greqia (2766), Bullgaria (2319), Kroacia (2116) etj.