Vdiq vajza 14 muajshe në Shkup, babai akuzoi mjekët se e neglizhuan rastin

Një vajzë 14 muajshe ka ndërruar jetë herët në mëngjes sot në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Qendrën klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar njoftoi se do të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm për këtë rast, shkruan Slloboden Peçat.

Siç bëjnë të ditur burime që punojnë në Klinikë, foshnjës disa herë i është refuzuar shtrimi në spital, edhe pse prindërit e kanë dërguar në spital vazhdimisht. Çdoherë është lëshuar në shtëpi, pa u shtruar në spital.

Prindërit, duke parë se iu refuzua trajtimi spitalor, e dërguan në Klinikën e Kozles, nga ku gjendja e foshnjës u përkeqësua dhe vetëm më pas u shtrua në reanimacionin e Klinikës së Fëmijëve.

Këtë për “Slloboden Peçat”, përveç disa punonjësve, e ka konfirmuar edhe babai i vajzës së ndjerë, R.S.

Ai tha për se ka një video incizim të një mjeku, të cilin e ka incizuar mbrëmë në Klinikën e Fëmijëve, në të cilën e pyet mjekun nëse fëmija i tij mund të shpëtohej nëse do të ishte shtruar në kohë në spital, ndërsa mjeku i ka dhënë përgjigje pohuese.

Babai ka qenë jashtëzakonisht i mërzitur dhe siç ka treguar vetë, mëngjesin e sotëm ka thyer kompjuterin me kokë në Klinikën e Fëmijëve, pas së cilës ka ardhur edhe policia. Sipas fjalëve të tij, ai ka gjetur mirëkuptim nga punonjësit e policisë, pasi edhe ata kanë pyetur pse foshnja nuk është shtruar në kohë në spital.

Në një bisedë telefonike babai shtoi se trupi i foshnjës është dorëzuar për autopsi dhe se do të ndjekë penalisht përgjegjësit e kësaj tragjedie.

Burime nga klinika jozyrtarisht thonë se foshnja është pranuar me takikardi të rëndë, me saturim 70 përqind apo pengesa në frymëmarrje, dhe diagnoza e dhënë ishte bronkit, pra bronkopneumoni masive.

“E kemi çuar tri herë në Klinikën e Fëmijëve, gjatë gjithë kohës na kanë thënë, dërgoje në shtëpi, dërgoje në shtëpi, dërgoje në shtëpi. Më pas nga Kozle, ku më kanë mbajtur vajzën, e kanë transferuar në Klinikën e Fëmijëve për shtrim. Sot në mëngjes rreth orës pesë nuk kanë thënë se çfarë po ndodh, nuk kanë dhënë asnjë informacion. Vetëm shoh se ka vdekur. Me vëllain ishim tre ditë aty, gjatë gjithë kohës na thanë që është mirë dhe çojeni në shtëpi, nuk ka nevojë ta mbajmë këtu. Unë kam një incizim të mjekut ku e pyes nëse e kishit mbajtur fëmijën tim këtu, do të kishte shpëtim për të dhe ku thotë: “Shpëtim kishte, por nuk u pranua”. Policia ka qenë sot në mëngjes, se kam thyer kompjuterin me kokë në stres të plotë, çfarë presin, të sjellë lule?”, tha babai i vajzës së ndjerë 14 muajshe, R.S.

Ai shtoi se kur të përfundojë autopsia do të nisë procedurat ligjore.

Drejtori i Klinikës Rexhep Memedi konfirmoi se foshnja herët në mëngjes ka ndërruar jetë dhe se të gjitha autoritetet janë duke punuar për të përcaktuar shkaqet.

Memedi i pyetur nëse janë të sakta informacionet se mjekët e reparteve të tjera të spitalit janë në shërbim në reanimacion, me specializime të ndryshme dhe nëse kanë trajnim të mjaftueshëm për intubacion dhe procedurat më komplekse për të shpëtuar jetën e fëmijëve, Memedi tha se ka qenë kështu për 20 vjet dhe vazhdimisht në kujdes intensiv ishin mjekët e departamenteve të tjera.

“Për këtë pjesë, që i referohet organizimit të brendshëm, vendosin drejtuesit e departamenteve. Nuk i vendos unë mjekët që kujdestarojnë në reanimacion, për njëzet vjet kujdestarojnë nga repartet tjera”, tha doktor Memedi.

Ministria e Punëve të Brendshme dha detaje për ngjarjen .

“Sot, më 05.10.2024, në SPB Shkup është raportuar se rreth orës 04:50 në Klinikën e Fëmijëve në Qendrën Klinike Nënë Tereza, V.S. (29) nga fshati Goshincë dhe vëllai i tij B.S. (35) nga fshati Goshincë, ka dëmtuar inventarin në spital pasi vdiq vajza njëvjeçare e V.S. e cila sipas raportit është sjellë në spital nga Shërbimi i Urgjencës Mjekësore rreth orës 03:45”, tha MPB.

Nga aty shtuan se po merren masa për zbardhjen e rastit.

Inspektorati Shtetëror dhe Sanitar tha se inspektimin do ta bëjnë në prani të mjekëve.

“Për të konstatuar të vërtetën për lëshimet e mundshme në mjekim, mbikëqyrja do të bëhet në prani të personave përgjegjës në objektet shëndetësore si dhe mjekëve që kanë marrë pjesë në ofrimin e mëparshëm të kujdesit shëndetësor. Dokumentacioni mjekësor i siguruar dhe deklaratat e punëtorëve shëndetësorë do t’i përcillen ministrit të Shëndetësisë dhe do të inicohet formimi i komisionit për mbikëqyrje eksperte”, njoftuan nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar.

Për këtë rast Ministria e Shëndetësisë njoftoi se nga Klinika informojnë se foshnja është shtruar në spital me infeksion të rëndë respirator, gjendje të rëndë të përgjithshme dhe funksione të dëmtuara vitale.

“Ka pasur një përkeqësim të shpejtë të gjendjes dhe me vështirësi në frymëmarrje. Trupi i foshnjës është dërguar për obduksion, pas së cilës do të përcaktohet shkaku i vdekjes”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë theksoi se do të iniciojë edhe një komision për mbikëqyrje profesionale në të dy institucionet shëndetësore.