Vazhdoi gjykimi për ndërtimin e Teatrit të Tetovës: Dëshmuan ekspertët për punën ekonomike dhe ndërtimore

Në Gjykatën Themelore në Tetovë vazhdoi gjykimi për keqpërdorimet gjatë ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovë. Sot u dëgjuan ekspertët e propozuar nga Prokuroria, të cilët përgatitën gjetjet dhe mendim për pjesën ekonomike dhe ndërtimore të ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës së re në Tetovë, transmeton Portalb.mk.

Ekspertiza është bërë me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Në pjesën ekonomike, ekspertët Gordana Angjellkovska dhe Kire Kostov deklaruan se në tërësi qëndrojnë pas asaj që kanë paraqitur në Gjetjen dhe Mendimin e përfshirë në raport. Sipas tyre, gjatë ndërtimit të objektit, në aspektin ekonomik, ka pasur tejkalime në mënyrën dhe shumën e pagesave, të lidhura me përllogaritjen e TVSH-së.

Gjithashtu, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, është përgatitur ekspertizë edhe për pjesën ndërtimore të ndërtimit të teatrit dhe bibliotekës së re.

Ekspertja Divna Stançeva deklaroi se në tërësi qëndron pas Gjetjes dhe Mendimit të përgatitur për pjesën ndërtimore të objektit. Ajo iu përgjigj edhe disa pyetjeve të avokatëve të të akuzuarve, duke theksuar se ka pasur ndryshime dhe plotësime të projektit dhe se nuk ka ekzistuar projekt i punimeve të realizuara, por se në pjesën ndërtimore nuk ka pasur lëshime më serioze.

Gjykimi vazhdon më 16 mars 2026, kur para gjykatës gjetjet e tyre pritet t’i paraqesin ekspertët e mbrojtjes.

Seanca për keqpërdorimet në ndërtimin e Teatrit të Tetovës. Foto: Portalb.mk (16.02.2026)
Seanca për keqpërdorimet në ndërtimin e Teatrit të Tetovës. Foto: Portalb.mk (16.02.2026)

Deri tani janë mbajtur dy seanca (25 nëntor dhe 20 janar), ndërsa fillimi i gjykimit u shty tre herë.

Në këtë rast akuzohen personi juridik “Urban Plan” si dhe personat fizikë Sejdi SharivariHaki FazliuArtan Arsllani dhe Bujar Muça. 

Më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro)

“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020 në Tetovë, i pandehuri i parë S.Sh. si pronar dhe menaxher i personit të akuzuar juridik nga Tetova, së bashku dhe në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin e tretë H.F. atëkohë drejtori i Institucionit Nacional – Qendra për Kulturë “Iljo Anteski – Smok” – Tetovë dhe me të pandehurin e katërt A.A. – kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa më pas edhe ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Kulturës, me vetëdije ka anashkaluar rregulloret dhe rregullat e procedurës për dhënien e kontratës së prokurimit publik dhe ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar. Me veprimet që përbëjnë kryerje të shumëfishtë të së njëjtës vepër, të pandehurit për personin e dytë të akuzuar juridik kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë… I pandehuri i pestë, B.M., si inxhinier kryesor mbikëqyrës në një person juridik të angazhuar si organ mbikëqyrës gjatë zbatimit të marrëveshjes për prokurim publik nga viti 2015 deri në vitin 2020, duke shfrytëzuar të njëjtat rrethana, ka kryer disa veprime të ndërlidhura në kohë duke mos ushtruar mbikëqyrjen e domosdoshme dhe në mënyra të tjera ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme gjatë ushtrimit të kompetencave…“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i pandehuri i parë Sejdi Shasivari dhe personi juridik “Urban Plan” akuzohen se kanë kryer vepër penale të vazhdueshme, keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat sipas nenit 275-v të Kodit Penal. Të pandehurit Haki Fazliu dhe Artan Arsllani akuzohen se kryen vepër penale të vazhdueshme të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar sipas nenit 353 të Kodit Penal dhe i pandehuri Bujar Muça akuzohet se kreu vepër penale të vazhdueshme vepër neglizhencë në shërbim nenit 353 të Kodit Penal.

Para se të fillonte gjykimi në Tetovë, kjo lëndë për disa muaj ‘shëtiti’ nëpër gjykatat e vendit.

Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 11 vitet e fundit. Punimet vazhdimisht janë zvarritur, ndërsa nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë i cili ishte për në fund të këtij viti.