U shty seanca për keqpërdorimet në ndërtimin e Teatrit të Tetovës, përfaqësuesit e të akuzuarve kërkuan qasje në dëshmi
U anulua seanca gjyqësore për dyshimet e keqpërdorimeve financiare gjatë ndërtimit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e njërit prej të akuzuarve, Artan Arsllani, dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Kulturës. Avokati i Asllanit kërkoi shtyrjen e seancës, pasi sipas tij nuk ka pasur qasje në të gjitha dëshmitë, transmeton Portalb.mk.
Qasje në materiale dhe dëshmitë, kërkuan edhe avokatët tjerë.
Seanca e radhës u caktua të mbahet më 25 nëntor në orën 12:30.
Seanca është shtyrë dy herë deri më tani, më 14 korrik dhe më 17 shtator.
- LEXO: U shty për herë të dytë gjykimi për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës në Tetovë
- LEXO: Afera 13 milionëshe e ndërtimit të Teatrit të Tetovës: Seanca u shty për në shtator, të akuzuarit “nuk janë të njoftuar me aktakuzën”
Në këtë rast akuzohen personi juridik “Urban Plan” si dhe personat fizikë Sejdi Sharivari, Haki Fazliu, Artan Arsllani dhe Bujar Muça.
Më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro).
“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020 në Tetovë, i pandehuri i parë S.Sh. si pronar dhe menaxher i personit të akuzuar juridik nga Tetova, së bashku dhe në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin e tretë H.F. atëkohë drejtori i Institucionit Nacional – Qendra për Kulturë “Iljo Anteski – Smok” – Tetovë dhe me të pandehurin e katërt A.A. – kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa më pas edhe ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Kulturës, me vetëdije ka anashkaluar rregulloret dhe rregullat e procedurës për dhënien e kontratës së prokurimit publik dhe ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar. Me veprimet që përbëjnë kryerje të shumëfishtë të së njëjtës vepër, të pandehurit për personin e dytë të akuzuar juridik kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë… I pandehuri i pestë, B.M., si inxhinier kryesor mbikëqyrës në një person juridik të angazhuar si organ mbikëqyrës gjatë zbatimit të marrëveshjes për prokurim publik nga viti 2015 deri në vitin 2020, duke shfrytëzuar të njëjtat rrethana, ka kryer disa veprime të ndërlidhura në kohë duke mos ushtruar mbikëqyrjen e domosdoshme dhe në mënyra të tjera ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme gjatë ushtrimit të kompetencave…“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, i pandehuri i parë Sejdi Shasivari dhe personi juridik i akuzuar “Urban Plan” kreu vepër penale të vazhdueshme keqpërdorim i procedurës për thirrje publike, dhënie të kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat sipas nenit 275-v të Kodit Penal. Të pandehurit Haki Fazliu dhe Artan Arsllani kryen vepër penale të vazhdueshme të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar sipas nenit 353 të Kodit Penal dhe i pandehuri Bujar Muça kreu vepër penale të vazhdueshme vepër neglizhencë në shërbim nenit 353 të Kodit Penal.
Kjo lëndë për disa muaj ‘shëtiti’ nëpër gjykatat e vendit.
Lënda fillimisht ishte në Gjykatën Penale të Shkupit. Më pas u dorëzua në Gjykatën e Tetovës, ku më pas e njëjta sipas sistemit AKMIS i ra gjykatësit Elvedin Ferati.
Por, Gjykata e Tetovës e dorëzoi këtë lëndë në Gjykatën Supreme me propozim për inicimin e procedurës për zgjidhjen e konfliktit të juridiksionit, ku në propozimin e tyre thuhej se kompetent për të vepruar në këtë rast është Gjykata Themelore Penale e Shkupit, konkretisht Departamenti i Specializuar për Gjykimin e Veprave Penale në Fushën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Megjithatë, Gjykata Supreme vendosi se Gjykata Themelore në Tetovë është kompetente për të vazhduar me çështjen. Sipas Gjykatës Supreme, propozimi i Gjykatës Themelore të Tetovës është i pabazuar, sepse veprat penale për të cilat është ngritur procedurë kundër të pandehurve nuk hyjnë në veprat penale të parashikuara në juridiksionin e Departamentit të Specializuar Gjyqësor për Gjykimin e Veprave në Fushën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
- LEXO: Keqpërdorimet financiare në ndërtimin e Teatrit të Tetovës: Gjykata Supreme vendosi që lëndën ta trajtojë Gjykata e Tetovës
- LEXO: Keqpërdorimet financiare në ndërtimin e Teatrit të Tetovës: Lënda arriti në Gjykatën Supreme
Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 11 vitet e fundit. Punimet vazhdimisht janë zvarritur, ndërsa nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë i cili ishte për në fund të këtij viti.