Valë bore dhe temperatura të ulëta këto ditë në RMV

Duke nisur nga nesër Maqedonia e Veriut do të ketë rënie drastike të temperaturave, erë e fortë nga veriu, reshje të dendura shiu dhe bore. Kështu kanë njoftuar nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike, transmeton Portalb.mk.

Për nesër është aktivizuar alarmi portokalli në pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë pjesën lindore dhe perëndimore të vendit. Në rajonin e Shkupit është shpallur alarm i verdhë, me mundësi për reshje bore.

“Nën ndikimin e valës së lagësht dhe të ftohtë ditën e shtunë do të ketë ndryshim të theksuar të motit me reshje, të cilat vende-vende do të jenë më të shumta (mbi 25 l/m2). Në zonat malore reshjet do të jenë të borës. Gjatë ditës temperaturat do të kenë rënie të ndjeshme dhe reshjet e shiut do të kalojnë në borë në zonat më të ulëta. Në male do të krijohet mbulesë dëbore më e madhe, e në disa vende më të ulëta mbulesë më e vogël bore. Gjatë fundjavës do të fryjë erë e fortë, herë pas here e fortë nga veriu (mbi 70 km/h), kurse temperaturat do të mbeten të ulëta deri në mesin e javës së ardhshme”, thuhet në paralajmërimin e sotëm nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike.

Në Shkup nesër do të mbajë mot i vranët dhe i ftohtë, paradite me reshje shiu, të cilat pasdite dhe deri në fund të ditës do të kalojnë në borë.

Temperaturat veçanërisht të ulëta nën minus 10 gradë Celsius priten gjatë orëve të natës të së hënës, kur temperaturat e ajrit do të zbresin nën zero gradë gjatë natës në të gjithë vendin. Gjatë javës së ardhshme, të martën priten reshje shiu dhe bore.