Ushtria izraelite paralajmëroi: Shkatërrimi i qytetit të Gazës mund të zgjasë mbi një vit
Ushtria izraelite (IDF) ka paralajmëruar se zbatimi i urdhrave të qeverisë së drejtuar nga Benjamin Netanyahu për të shkatërruar të gjithë qytetin e Gazës, mbi dhe nën tokë, siç ndodhi në qytetet Beit Hanoun dhe Rafah, mund të zgjasë shumë muaj, ndoshta më shumë se një vit, raporton Klan.
Ky njoftim vjen pas kërcënimit të ministrit të Mbrojtjes izraelite, Israel Katz, të bërë të premten, se nëse Hamasi nuk pranon kushtet e Izraelit për përfundimin e luftës, qyteti i Gazës do të kthehet në “një Rafah tjetër”.
“Haaretz” shkruan duke cituar IDF-në, se një ofensivë e madhe në qytetin e Gazës do të shkaktonte një krizë të thelluar me njësitë rezerviste, të cilat po përballen me pjesëmarrje gjithnjë e më të ulët dhe moral të dobët.
Shefi i Shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, i ka thënë udhëheqësve të qeverisë se nuk do të nisë ndonjë ofensivë të madhe në Gaza pa u krijuar më parë një “zonë humanitare” për banorët. Ai gjithashtu theksoi se veprimet ushtarake nuk do të fillojnë pa përgatitjet operacionale dhe ligjore të nevojshme, pavarësisht kërkesës së kryeministrit Benjamin Netanyahu për ta përshpejtuar operacionin.
Deri më tani, asnjë zonë e tillë për palestinezët e zhvendosur nuk është krijuar, që do të thotë se do të kërkohet punë e konsiderueshme infrastrukturore. Burime nga IDF theksojnë se evakuimi i Rafah-ut zgjati dy javë, dhe vlerësimi është që evakuimi i qytetit të Gazës, me rreth 1.2 milion banorë, do të zgjasë edhe më shumë.
Sipas IDF-së, plani i paraqitur nga shefi i ushtrisë i jep mundësi ushtrisë të ndalojë luftimet nëse arrihet një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe një armëpushim me Hamasin.
IDF thekson se qëndrimi i saj është të shterojë çdo përpjekje diplomatike dhe të sigurojë sa më shumë pengje që të jetë e mundur përpara se të ndërmarrë ndonjë sulm ndaj qytetit të Gazës, për shkak të shqetësimeve serioze për sigurinë e tyre gjatë luftimeve të ashpra.
Tensionet mes udhëheqjes ushtarake dhe qeverisë janë të larta, sidomos për rrezikun që paraqet ofensiva ndaj jetës së pengjeve. Zyrtarë të lartë të IDF-së theksuan gjatë fundjavës se shefi i shtabit nuk do të veprojë në mënyrë të paligjshme dhe do të ndjekë plotësisht udhëzimet e Prokurores së Përgjithshme Ushtarake, Yifat Tomer-Yerushalmi.
Aktualisht, tre divizione të IDF-së janë aktive në Gaza:
-Divizioni i 99-të: është duke luftuar në lagjen Zeitoun, në periferi të qytetit të Gazës.
-Divizioni i 162-të: aktiv në Jabaliya dhe afër lagjes Sabra në Gaza.
-Divizioni i 36-të: operon në korridorin Morag dhe në zonën e Khan Yunis.
Përveç këtyre, Divizioni i Gazës i IDF-së është përgjegjës për sigurimin e Korridorit të Filadelfias (kufiri Gaza-Egjipt) në jug dhe mbikëqyrjen e pikave të shpërndarjes së ushqimit në atë zonë.
IDF ka nxjerrë urdhra për thirrjen e rreth 60 mijë rezervistëve, të cilët pritet të paraqiten më 2 shtator. Shumica e tyre do të zëvendësojnë trupat në Bregun Perëndimor dhe kufirin verior, në mënyrë që këta të fundit të marrin pjesë në ofensivën ndaj qytetit të Gazës.