Urtësia e papërsosurisë

Në fillim të librit të tij të quajtur “Wabi Sabi”, autori japonez Nobuo Suzuki shprehet kështu: “Ambiguiteti është i mrekullueshëm, sepse gjithmonë ua lë dyert hapur mundësive”. Ky libër është jashtëzakonisht i lehtë për t’u lexuar, është nga ata të cilët kuptohen menjëherë dhe kanë një efekt instant relaksues për lexuesin. Befas, e kuptoni që nuk ka nevojë të shqetësoheni shumë kur gjërat nuk shkojnë mirë ose kur nuk janë të përsosura, në fakt jeta ashtu duhet të jetë. Siç thotë Suzuki, kur gjërat nuk funksionojnë herën e parë, kjo na jep mundësi për të mësuar dhe për të bërë progres. Filozofia japoneze e Wabi-Sabi-t ndërtohet mbi besimin se as gjërat e as jetët tona nuk ka nevojë të jenë të përsosura, përkundrazi, është papërsosuria ajo që duhet të çmohet dhe të kërkohet. Kjo filozofi qëndron në tri shtylla kryesore.

Shtylla e parë ka të bëjë pikërisht me festimin e të papërsosurës. Ashtu siç natyra përbëhet nga vija të lakuara dhe të papërsosura, ashtu edhe njeriu nuk duhet të obsesionohet me perfeksionin. Suzuki bën një shqyrtim shumë interesant të artit lindor dhe, duke u thirrur në atë se arti perëndimor kërkon gjithmonë klasiken dhe simetriken, ndërsa arti lindor kërkon më shumë vijat e lakuara dhe format e papërsosura. Në këtë krahasim, me plot të drejtë e përshkruan punën e Gaudit në Barselonë si diçka shumë të ndryshme nga arti klasik evropian. Gaudi i ka shenjtëruar vijat e lakuara në krijimet e tij, përkundër vijave të drejta dhe klasike që janë të zakonshme në qytetet evropiane. Ai këtë e ka bërë me sqarimin se në natyrë nuk ka vija të drejta, por vetëm të lakuara, dhe njeriu duhet ta ndjekë gjithmonë atë që është e natyrshme dhe e papërsosur.

Shtylla e dytë shumë e rëndësishme e kësaj filozofie është festimi i së paplotës. Simboli i kësaj filozofie është një vijë rrethore e bërë me kaligrafi, që tregon një rreth të papërsosur, por njëherit edhe të pambyllur. Jeta nuk është një destinacion, por është udhëtim gjatë të cilit mësojmë shumë rreth vetes sonë dhe botës në të cilën jetojmë. Prandaj gjërat nuk përfundohen asnjëherë, por vetëm lehen përkohësisht ashtu siç janë. Ashtu si Sagrada Familia, katedrala e famshme e Barcelonës e projektuar nga Gaudi, e cila sot e kësaj dite mbetet ende e papërfunduar.

Shtylla e tretë e kësaj filozofie është festimi i kalimtares. Gjithçka në këtë jetë është kalimtare, prandaj nuk vlen të kërkohet momenti i përsosur. Ashtu siç ka thënë edhe filozofi parasokratik Herakliti, njeriu nuk kalon kurrë dy herë mbi të njëjtin lum, sepse herën e dytë kur kalon aty, as lumi nuk është i njejti e as njeriu. Kjo më së miri e përshkruan konceptin e kalimtares, gjë në na bën të koncentrohemi tek e tashmja, e cila po ndodh tani dhe e cila nuk përsëritet kurrë më. Në filozofinë moderne kjo gjë përshkruhet si “Mindfulness” apo të jetuarit me vëmendjen tek e tashmja.

Herë pas here është mirë t’i kujtojmë këto shtylla të kësaj filozofie japoneze që na i rikujtojnë parimet esenciale të jetës: që asgjë nuk është e përsosur, që asgjë nuk është e plotë dhe që asgjë nuk është e përjetshme. Shpesh mundohemi që ti anashkalojmë këto të vërteta dhe me këtë vetëm sa e stresojmë veten pa nevojë, sepse ikja nga e vërteta nuk zgjidh asnjëherë asnjë problem. Ndoshta duhet të mësohemi ta vlerësojmë dhe ta festojmë papërsosmërinë, ashtu siç bëjnë japonezët përmes teknikës Kinzugi, me të cilën një filxhan të thyer e riparojnë duke ia ngjitur pjesët dhe duke ia theksuar çarjet me ngjyrë ari, gjë që e bën filxhanin e thyer jo vetëm një enë më të bukur, por e bën atë njëherit një krijim me karakter dhe me histori.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.