UNRWA kërkon materiale strehimi, tendat në Gaza përmbyten nga shirat 

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka kërkuar urgjentisht materiale strehimi për civilët e zhvendosur në Rripin e Gazës, pasi shirat e fuqishëm kanë përmbytur dhjetëra tenda, transmeton Portalb.mk

 Agjencia paralajmëroi se dimri po e rëndon edhe më shumë gjendjen e rëndë humanitare. 

“Dimri ka ardhur në Gaza dhe kushtet po bëhen edhe më të dëshpëruara. Familjet strehohen kudo që munden, edhe në tenda të improvizuara”, njoftoi UNRWA. 

Sipas Mbrojtjes Civile, në zonën Al-Mawasi në Khan Younis u përmbytën shumë tenda ku strehohen palestinezë të zhvendosur. 

Gaza po përballet me reshje të dendura shiu dhe temperatura të ulëta që nga e premtja, duke përkeqësuar situatën për rreth 1.5 milionë të zhvendosur. 

Izraeli vazhdon të bllokojë hyrjen e materialeve të strehimit, si tenda dhe shtëpi mobile, ndonëse kjo bie ndesh me marrëveshjen e armëpushimit të 10 tetorit. 

Që nga tetori 2023, Izraeli ka vrarë të paktën 69 mijë palestinezë në Gaza, shumica gra dhe fëmijë, ndërsa enklava është kthyer në rrënoja.