Universiteti dhe religjioni (II)

Në këtë shkrim do të përqendrohemi te motot apo siglat e disa universiteteve botërore, gjegjësisht te relacioni universiteti-feja duke përdorur metodën e analizës tekstuale apo të përmbajtjes. Universiteti i Harvardit (th. 1636), njihet me moton e vet “Veritas” (E vërteta), kurse para kësaj e ka pasur “Christo et Ecclessiae” (Për Krishtin dhe Kishën). Yale njihet me sintagmën “Lux et Veritas” (Drita dhe e Vërteta), ai i Princetonit ka siglën “Dei Sub Numine Viget” (Nën fuqinë e Zotit ajo lulëzon!). Universiteti Notre Dame (1842) ka moton “Vita Dulcedo Spes” (Jetë, ëmbëlsi, shpresë) që i referohet Shën Mërisë. Universiteti Georgetown (1789) është institucioni më i vjetër katolik i arsimit të lartë në Amerikë, ku është diplomuar Bill Clinton, Lyndon B. Johnson, senatorë, politikanë me nam etj. Trinity College (1825) presbiterian ka sloganin “E Tribus Unum” (Nga tre, një). Universiteti George Washington për bazë e merr sentencën: “Deus Nobis Fiducia” (Në Zot besojmë!), ai Gardner-Webb, “Pro Deo et Humanitate” (Për Zotin dhe njerëzimin), kurse Brown University, “In deo speramus” (Te Zoti shpresojmë).

Universiteti kanadez “King’s College” njihet me siglën “Deo Legi, Regi Gregi!” (Për Zotin, drejtësinë, mbretin, popullin), kurse ai i Otavës me thënien “Deus Scientiarum Dominus Est” (Zoti është mjeshtër i shkencave.)

Në Britani, Universiteti i Oksfordit si maksimë të veten ka “Dominus Illumination Mea” (Zoti është drita ime!), Keele University (1949) frymon në bazë të lutjes “Thank God for All” (Të falemnderit Zot për gjithçka). Universiteti i Trierit (Gjermani) si sintagmë elementare ka “Treveris ex urbe Deus complet dona sophiae” (Në qytetin e Trierit, Zoti i përmbush dhuratat e urtësisë). Edhe dy universitete sudedeze janë të frymëzuara fetarisht, ai i Uppsala-s, “Gratiae veritas naturae” (Nëpërmjet mëshirës dhe natyrës së Zotit) dhe i Lund-it, “Ad utrumque paratus” (Të gatshëm për të dyja aletrantivat, luftë dhe predikim).

Universiteti hollandez Radboud Nijmegen ecën i lumtur në emër të Zotit (In Dei Nomine Fliciter), ai danez i Kopenhagës sheh dritën qiellore (Coelestem Adspicit Lucem). Universiteti i Bolonjës beson se “Shën Pjetri është gjithkund ati i drejtësisë, kurse Bolonja nëna e saj” (Petrus ubique pater legum Bononia mater). Universittei qipriot orthodoks i Limassolit afirmon fjalën “Ktisis’ (Krijimi).

Kolegji San Juan de Letran i Filipineve ka si maksimë shprehjen “Deus, Patria, Letran” (Zoti, atdheu, letrani). Edhe japonezët shpërfaqin frymën tradicionale-fetare nëpërmjet akademisë: Universiteti Rikkyo ka si sllogan fjalët latine “Prod Deo et Patria” (Për Zotin dhe atdheun).

Nga kjo pasqyrë e dhënë më sipër konstatohet se sado që fryma humaniste-antropocentriste dhe shkenciste është mbizotëruese me shekuj të tërë në akademi, në veçanti pas Revolucionit Francez e këndej, prapëseprapë universiteti anekënd botës mbetet i ngjyrosur me bojën e religjiozitetit. Përveç institucioneve pastër fetare, pra universiteteve teologjike, ekzistojnë edhe syresh që zotërohen nga fondacione, fraksione, sekte që përveç shkencës afirmojnë edhe besimin dhe religjionin. Kjo vërehet edhe nga fakti se edhe në mesin e 100 universiteteve të kulmit botëror ka të tilla që përmes motove të veta shenjojnë misionin e tyre parësor ose dytësor të mbrujtur me spiritualitet.    

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.