Uji në Gostivar nën mbikëqyrje, ende e paqartë se kur do të përdoret për pije
Analizat e ujit të pijshëm nga ujësjellësi i qytetit në Gostivar po monitorohen dhe do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës, ndërsa sipas autoriteteve është ende e vështirë të parashikohet se kur qytetarët do mund ta përdorin ujin për pije, raporton Portalb.mk.
Në institucionet publike shëndetësore në Gostivar, dje janë kontrolluar 73 pacientë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Në Spitalin e Përgjithshëm “Ferid Murat“ në Gostivar janë regjistruar gjithsej 45 kontrolle të reja, prej të cilave 26 në repartin infektiv (me dy hospitalizime të reja) dhe 18 në repartin e pediatrisë.
Aktualisht janë të hospitalizuar nga dy pacientë në repartin infektiv dhe në repartin e pediatrisë.
Në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 28 kontrolle të reja në shërbimin kujdestar.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski ka deklaruar se është e vështirë të parashikohet se kur banorët e Gostivarit do të mund ta përdorin ujin për pije.
“Mostrat po monitorohen dhe procesi do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës. Pra, çdo ditë merren mostra nga disa pika të konsumit. Në momentin kur tri mostra radhazi rezultojnë të përshtatshme për pije, ujësjellësi do të vihet në përdorim. Ajo që është e rëndësishme është se uji tani mund të përdoret për qëllime të tjera, por jo për pije dhe për përgatitjen e ushqimit të freskët. Kështu që të paktën kjo pjesë është sqaruar. Nuk mund të spekulojmë“, tha Klekovski.
Siç tha ai, nevojitet që tri teste nga pikat e konsumit të rezultojnë të përshtatshme, në mënyrë që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ta heqë ndalesën për përdorimin e ujit për pije. Ai shtoi se çdo ditë bëhen analiza nga të paktën nëntë pika të konsumit.
“Pra, është shumë e vështirë të parashikoj se si do të dalin testet. Mund të ketë një test që nuk është i përshtatshëm dhe përsëri nevojiten tri teste të reja, tri ditë të reja. Vërtet është e vështirë të parashikoj se çfarë dhe si do të jetë“, deklaroi Klekovski.
Ndërkohë, autoritetet thonë se epidemia në Gostivar po qetësohet, megjithëse autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se ekziston rreziku për shfaqjen e sëmundjeve infektive si hepatiti A dhe E si dhe të tjera.
Në ndërkohë, CIVILi dhe njësia organizative CIVILi i Gjelbër u kanë bërë thirrje urgjente të gjitha institucioneve shtetërore, partive politike dhe autoriteteve lokale që të ndërpresin menjëherë përplasjet politike dhe akuzat e ndërsjella në lidhje me krizën aktuale të ujit të pijshëm.
“Kërkojmë veprim të vërtetë, gjithëpërfshirës në nivel kombëtar për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të drejtave themelore të njeriut të qytetarëve. Kriza që po dëshmojmë, ku uji i rubinetave në disa komuna është bërë burim i mundshëm infeksioni, nuk është vetëm kolaps infrastrukturor; është shkelje e drejtpërdrejtë e së drejtës themelore të njeriut për ujë të pijshëm, të pastër dhe të sigurt”, thonë nga CIVIL.
Ata shtuan se edhe qytetarët në Krushevë, Vallandovë, Pllasnicë, Pregllovë dhe vende të tjera përballen me rreziqe të ngjashme si dhe Spitali i Specializuar për Sëmundje të Mushkërive në Leshkë është pa ujë të sigurt për pije prej një dekade. Kjo është e papranueshme.
“CIVILi dhe CIVILi i Gjelbër shprehin shqetësim të thellë për shmangien e vetëdijshme të trajtimit të kësaj çështjeje si një krizë që i përket të gjithëve në vend. Aktorët politikë garojnë në kërkimin e “përgjegjësisë” për pikë politike ditore, ndërkohë që qytetarët janë lënë të presin në radhë para cisternave ose të frikësohen nga uji që rrjedh nga rubinetat e tyre”, thanë nga atje.
- LEXO: Epidemia në Gostivar: Shëndetësia qetëson situatën, Ushtria në terren, opozita kërkon përgjegjësi
Më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.
Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.
Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.