UEFA vendosi ku të luhet EURO 2028 dhe EURO 2032

Kampionati Europian i 2028 do të mbahet në Britaninë e Madhe dhe Irlandë, ndërsa ai i 2032 në Itali dhe Turqi, raporton Klan. UEFA e zyrtarizoi këtë të martë vendimin që ishte i pritshëm, pasi ishin të vetmet kandidatura në garë.

Turqia u tërhoq më 28 korrik nga kandidatura për të organizuar Europianin e 2028, duke e bashkangjitur kërkesën e saj me Italinë në 2032. Kjo ishte një zgjidhje më e favorshme për të gjitha palët.

Duke përjashtuar organizimin e përbashkët mes 11 shteteve në 2020, në Angli ky turne është zhvilluar në 1996, por tashmë në një organizim më të gjerë ku janë edhe vendet e tjera të Britanisë së Madhe dhe Irlanda.

Italia e ka mikpritur e vetme Europianin në dy raste më herët, në 1968 dhe 1980, ndërsa për Turqinë do të jetë hera e parë. Për Euro 2028 janë vendosur qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet që janë Belfasti, Birmingham, Cardif, Dublini, Glasgow, Liverpuli, Londra, Mançesteri dhe Newcastle. Për 2032 nuk janë përcaktuar ende.