U zhvillua Forumi i Shoqërisë Civile dhe Think Tank 2023, nxitje për bashkëpunimin rajonal dhe reformat me BE-në

Më 20 qershor 2023 u mblodh Forumi i Shoqërisë Civile dhe Think Tank, një nismë e rëndësishme që synon të krijojë një platformë për dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës midis përfaqësuesve të shoqërisë civile, grupeve të ekspertëve dhe përfaqësuesve të Qeverive nga Ballkani Perëndimor. Duke ndarë praktikat më të mira dhe duke zhvilluar rekomandime për politikat, Forumi do të nxisë bashkëpunimin rajonal, reformat në lidhje me BE-në dhe të mbështesë procesin e pranimit të vendeve në Ballkanin Perëndimor. Aktiviteti shërbeu si një moment kyç për të nisur Forumin duke sjellë së bashku përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së por edhe nga vendet e Bashkimit Evropian si Greqia, Gjermania, Italia, Austria, Polonia e më gjerë, transmeton Portalb.mk.

Temat kryesore si energjia, qasja në tregun e përbashkët evropian, digjitalizimi dhe lidhja, klima dhe agjenda e gjelbër, lëvizshmëria dhe migrimi, siguria dhe gjeopolitika dhe politika e zgjerimit do të jenë në fokus të punës së Grupeve të Punës përgjatë vitit 2023. Këto grupe do të formulojnë së bashku rekomandime specifike për politikat qeveritare, pas organizimit të një procesi të gjerë konsultimi dhe advokimi në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në ato të Bashkimit Evropian. Më pas rezultatet do të prezantohen dhe diskutohen me zyrtarë qeveritarë nga Ballkani Perëndimor dhe vende të tjera evropiane përpara dhe përgjatë Samitit të Lederave që do të organizohet në Tiranë më 16 tetor 2023.

Përgjatë aktivitetit përshëndetën me fjalën e tyre Peter Zingraf, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Luigi Mattirolo, zëvendës ambasador në ambasadën e Republikës së Italisë në Shqipëri;  Odeta Barbullushi, Këshilltare e Kryeministristrit të Shqipërisë për Ballkanin Perëndimor dhe Çështjet e BE-së dhe Andi Dobrushi, drejtor i Ballkanit Perëndimor për Fondacionet e Shoqërisë së Hapur.

Peter Zingraf tha se kohët kanë ndryshuar shumë që prej fillimeve të Procesit të Berlinit, “por unë akoma mendoj se po të mos e kishim, do të na duhej ta shpiknim. Ose të shpiknim diçka të ngjashme, ndoshta një lloj Procesi Ballkanik”.

Zëvendës ambasadori i ambasadër italiane Luigi Mattirolo deklaroi se prej një viti e gjysmë më parë, bota ka ndryshuar me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

“Çfarë ka qenë më përpara një prioritet dhe objektiv për Italinë, integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, tani është kthyer në një imperativ dhe prioritet strategjik”, tha Mattirolo.

Andi Dobrushi nga ana tjetër u shpreh se konteksti na tregon se ka sinjale të rëndësishme nga Berlini dhe Brukseli, që tregojnë se ka një momentum të ri për procesin e zgjerimit, nga i cili ne duhet të përfitojmë.

“Kështu që ne jemi këtu për të inkurajuar qeveritë tona në Ballkanin Perëndimor që të ruajnë përkushtimin për agjendën e reformave, dhe të mos e humbasin mundësinë që vjen nga optimizmi i rigjallëruar për procesin e integrimit”, tha Dobrushi.

Procesi i Berlinit, nga fillimi i tij më 28 gusht 2014, ka nisur një udhëtim transformues, duke synuar të ringjallë flakën e shpresës dhe përparimit brenda Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.

Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, për herë të parë, në një vend të Ballkanit Perëndimor siç është Shqipëria, do të zhvillohet në 16 Tetor 2023 Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit i organizuar nga Qeveria Shqiptare.

Forumi i Shoqërisë Civile dhe Think Tank organizohet nën drejtimin e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur (OSF) në Ballkanin Perëndimor, në bashkëpunim me Fondacionin Helen për Politikë Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP) nga Greqia dhe me Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) nga Shqipëria. Forumi organizohet si pjesë e Samitit Vjetor të Procesit të Berlinit i cili për herë të parë organizohet në një vend të Ballkanit Perëndimor dhe këtë vit do të organizohet nga Qeveria e Shqipërisë, si mbajtës aktual i Presidencës së Procesit të Berlinit.