U shkarkua Agron Arifi nga Këshilli Shkollor i SH.F “Istikball”, Bajrami në vend të tij, u miratuan punësimet për në çerdhe

Këshilli Komunal i Tetovës në seancën e 35-të miratoi 22 pika të rendit të ditës. Ndër më kryesoret ishin Propozim-Vendimet për shkarkimin dhe emërimin e përfaqësuesit nga Komuna e Tetovës në Këshillin Shkollor të SH.F “Istikball” Tetovë, të cilat ndezën edhe debate mes këshilltarëve komunalë të opozitës dhe pozitës, si dhe për dhënien e pëlqimit për Planin vjetor të punësimit për vitin 2025 të objektit të çerdhes “Rilindja” pjesë e Institucionit Publik Komunal për Fëmijë “Rinia”, shkruan Portalb.mk.

Në seancën e 35 të Këshillit të Komunës së Tetovës, të mbajtur të sot (23 korrik 2024)  fillimisht kryetar i Këshillit Komunal u zgjodh Naim Ismaili.

Në këtë seancë u miratuan 22 pika, ndër më kryesoret si pika e shtatë dhe pika e tetë: Propozim-Vendimi për shkarkimin dhe emërimin e përfaqësuesit nga Komuna e Tetovës në Këshillin Shkollor të SHFK “Istikball” Tetovë, si dhe pika e nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë të cilët kishin të bëjnë për miratimin e punësimeve në çerdhen “Rinia” Tetovë, konkretisht për objektin e ri afër shkollës “Kirili dhe Metodij” që do të quhet “Rilindja”, që priste leje për punësime.

U shkarkua Agron Arifi nga Këshilli Shkollor i SH.F “Istikball”, emërohet Ibrahim Bajrami

Yllzana Zeqiri, kryetare e komisionit për vlerësime të çështjeve mandatare, njëkohësisht edhe këshilltare komunale nga Lëvizja Besa, tha se për pikën e shtatë dhe të tetë të rendit të ditës, komisioni ka marrë vendim t’i propozojë Këshillit Komunal shkarkimin e Agron Arifit nga Këshilli Shkollor i SH.F “Istikball” Tetovë si përfaqësues i Këshillit Komunal të Tetovës, dhe në vend të tij të emërohet Ibrahim Bajrami.

“Komisioni mori vendim që me katër vota për, asnjë kundër dhe një të përmbajtur t’i propozojë këshillit shkarkimin e Agron Arifit dhe të njëjtën ta miratojë. Në vend të Arifit, propozohet Ibrahim Bajrami, i cili me katër vota për, asnjë kundër, dhe një të përmbajtur, është i propozuari i komisionit për te Këshilli Shkollor të SH.F “Istikball” Tetovë”,tha Zeqiri.

Këshilltari komunal nga BDI, Liridon Disha, tha se për këtë pikë, i zgjedhuri Agron Arifi ka dhënë vetë-dorëheqje pasi nuk është kontaktuar asnjëherë nga këshilli i shkollës në lidhje me situatat e pakëndshme në shkollë, si dhe në mbledhjet e mbajtura nga ky këshill.

“Agron Arifi ka njoftuar se seancat e Këshillit të Shkollës janë mbajtur, por ai asnjëherë nuk është ftuar në këto seanca. Kush duhet të mbajë përgjegjësi këtu?”, tha Disha, duke e cituar deklaratën e Arifit.

Për këtë, përgjegjësi i Sektorit të Çështjeve Publike në Komunën e Tetovës, Nazmi Dauti, tha se nuk është në dijeni.

“Për rastin që përmendët nuk kam njohuri dhe për herë të parë informohem nga ju. Personi përgjegjës që thërret mbledhjet është kryetari i këshillit, i cili zgjidhet nga këshilltarët e tjerë shkollorë në këshillin e shkollës. Organi i cili mund të shkarkojë të gjithë këshillin e një shkolle është vetëm këshilli komunal i Tetovës. Pas marrjes së këtij informacioni do të jem në komunikim edhe me shkollën fillore Istikball, edhe pse zyrtarisht tani janë në pushime kolektive. Por, do të duhet të bëhet një zgjedhje e re e këshillit të kësaj shkolle”, tha Dauti.

Veton Murati, poashtu këshilltar i BDI-së, kërkoi që derisa të sqarohet rasti të mos konstatohet dorëheqja e Agron Arifit dhe emërimi i ndonjë anëtari tjetër.

“Të thirren në përgjegjësi. Të konstatohet se çfarë është problemi dhe pastaj të vendoset për të njëjtën”, tha Murati.

Por, Arifi u shkarkua me 16 vota për, asnjë kundër dhe 11 të përmbajtur, kurse në vend të tij, Ibrahim Bajrami, i cili me 16 vota për, asnjë kundër, dhe 12 të përmbajtur, u vota nga Këshilli Komunal i Tetovës.

Kaloi plani vjetor për punësim në çerdhen afër shkollës “Kirili dhe Metodij

Në pikën e nëntë, gjegjësisht për Propozim Vendimin për dhënie pëlqim të Planit vjetor për punësim për vitin 2025 të çerdhes “Rinia” Tetovë, konkretisht për objektin e ri afër shkollës “Kirili dhe Metodij” që do të quhet “Rilindja”, për pozita administrative. Përgjegjësi i Sektorit të Çështjeve Publike në Komunën e Tetovës, Nazmi Dauti tha në bazë të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve, deri më datën 31 gusht duhet të miratohet edhe Plani vjetor për punësim për vitin 2025 ku do të jenë gjitha punësimet dhe i cili pasi të miratohet nga ana e Këshillit Komunal duhet të dorëzohet deri te Ministria për Politikë Sociale dhe Demografi.

“Në këtë propozim-plan për punësim janë vetëm vende pune të llojit tekniko-administrativ për nevoja të çerdhes Rinia në Tetovë”, tha Dauti, duke shtuar se ky plan është edhe në përputhshmëri me ligjin e balancuesit.

Kujtojmë se çerdhja e re “Rinia” në Tetovë e ka marrë vendimin për fillim me punë nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. Mirëpo, Komuna e Tetovës ishte në pritje nga ministria dhe miratimin e punësimeve për stafin e çerdhes.

• LEXO: Çerdhja “Rilindja” në Tetovë e mori “aminin” e ministrisë, pritet miratimi i punësimeve

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për Portalb.mk tha se vendimin e kanë dhënë me 9 maj.

Në këtë çerdhe janë planifikuar të pranohen 154 fëmijë nga mosha  prej gjashtë muaj deri në gjashtë vjeç, të cilët do jenë të organizuar në dhjetë grupe.

Çerdhja “Rilindja” premtohet prej vitit 2019, kurse u ndërtua në prill të vitit 2023. Hapja e saj vonon që atëherë shkaku i pengesave dhe neglizhencës nga autoritetet e përfshira në këtë proces.

• LEXO: Çerdhja e re në Tetovë do të quhet “Rilindja”, por hapja do të vonojë