Dy javë pasi e dërguan në Vjenë me helikopter, FSSh dha mendim negativ për mjekimin e Leonidit

Dy javë më parë, gjegjësisht më 6 shkurt të vitit 2024, në ora 06:30 lajmi kryesor në media ishte fluturimi i parë ndërkombëtar në historinë e shtetit modern maqedonas me helikopter nga Departamenti i Njësive të Aviacionit pranë MPB-së, me të cilin për trajtim mjekësor nga Shkupi në Vjenë të Austrisë u transportua pacienti – djali i ri Leonid Indov, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Kjo ngjarje u mirëprit me duartrokitje të mëdha, e me shpresën që Leonidi më në fund do të mund ta marrë kujdesin, mjekimin dhe rehabilitimin e nevojshëm, i cili në Austri duhej të zgjaste 6 muaj.

Helikopteri qe shërbeu për transportimin e pacientit Leonid Indov. Foto nga MPB
Helikopteri qe shërbeu për transportimin e pacientit Leonid Indov. Foto nga MPB

Por, në vend të kësaj, vetëm dy javë pas shkuarjes së Leonidit në Vjenë, Komisioni i shkallës së parë pranë Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ka dhënë mendim negativ për mjekimin e Leonidit jashtë vendit, pavarësisht mendimit konsullor të mjekëve që e rekomanduan mjekimin dhe rehabilitimin. Për këtë fillimisht njoftoi zëvendës Avokati i Popullit, Jovan Andonovski, në profilin e tij në Facebook.

“Pavarësisht mendimit konsullor se personi duhet të trajtohet jashtë vendit, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore sjell vendim me të cilin kërkesa refuzohet. Ndërkaq në vendim nuk thuhet se cili institucion e ofron shërbimin e nevojshëm, por vetëm se mjekimi mund të bëhet në Maqedoni. Shteti luan me jetën e një njeriu. Kërkoj që FSSh-ja ta rishqyrtojë vendimin”, ka shkruar Andonovski.

Meta.mk kontaktoi me babain e Leonidit, Branko Indov, i cili thotë se për djalin e tij nuk ka shpresë tjetër përveç mjekimit dhe rehabilitimit jashtë vendit.

“Kjo është për të ardhur keq dhe e rëndë për të gjithë ne. Unë e lus kryetaren e Komisionit të shkallës së parë, Sonja Petrova, të më përgjigjet personalisht se mbi çfarë baze është dhënë mendimi negativ. A do ta dërgoja unë djalin në Austri nëse do e dija se ka shpresë për të këtu në Maqedoni? Vetë mjekët thanë se është bërë gjithçka që mund të bëhej në vendin tonë. Fëmija im merr frymë me respirator, është i palëvizshëm, ka metoda dhe teknika të veçanta për t’ia rikthyer atij frymëmarrjen normale. Ja, le të më thonë ku ta çoj, cili institucion në vend do ta pranojë? Ju nuk e dini se çfarë dhimbje kemi ne si familje, ne jetojmë vetëm për të”, tha Indov për Meta.mk.

Nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor thonë se sipas Rregullores për rehabilitim të specializuar mjekësor si mjekimi i zgjatur spitalor, për personat e siguruar Fondi e ka siguruar atë në institucionet shëndetësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut me të cilat ka lidhur marrëveshje.

“Kërkesa refuzohet si e pabazë, në përputhje me dispozitat ligjore dhe nënligjore për udhëzim për mjekim jashtë vendit për kryerjen e shërbimit shëndetësor rehabilitim mjekësor si mjekim spitalor i zgjatur, për shkak se për personat e siguruar Fondi e ofron atë në institucionet shëndetësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut me të cilat ka lidhur marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e FSShRMV-së.

Leonidi u dërgua në Vjenë me helikopter nga Departamenti i Njësive të Aviacionit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në këtë ngjarje morën pjesë punjonjës dhe administrata e Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, d-r. Tatjana Trojiq, specialiste anesteziologe, d-r. Jasmina Panova specialiste anesteziologe, infermiere anesteziste Marina Jançeva dhe Prof. d-r. Hristijan Kostov, me zëvendësministrin shtesë të Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev dhe drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski.

Verën e kaluar Leonidi pësoi një aksident të rëndë gjatë kohës që ishte në një udhëtim në Greqi, ku lëndoi vertebrën e tretë, të katërt dhe të pestë. Ai u transportua menjëherë në Selanik, ku iu nënshtrua disa operacioneve të suksesshme, për të cilët u mblodhën mbi 200 mijë euro. Për momentin Leonidi merr frymë me respiratorë dhe nuk mund t’i lëvizë gjymtyrët.

Kam më shumë se 20 vjet që paguaj sigurim shëndetësor dhe pyes veten për çfarë po paguaj. E shoh që gjatë kohës së kaluar në Vjenë Leonidi ka energji pozitive, për t’i mbledhur paratë na kanë ndihmuar shumë njerëz, sepse janë shumë para, por ne nuk kemi zgjidhje tjetër sepse në Maqedoni nuk ka se ku të mjekohet dhe të rehabilitohet”, thotë babai i Leonidit.

Familja e djalit të ri do të bëjë ankesë në Komisionin e shkallës së dytë pranë Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.