U mbyllën gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore, vepronte ilegalisht në Kosovë

Pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, Policia e Kosovës të hënën ka ndërmarrë aksion për mbylljen e gjashtë njësive të Bankës Postare Kursimore në veri. Derisa aksioni u monitorua nga EULEX-i dhe KFOR-i, disa qytetarë serbë zhvilluan një aksion simbolik tek thanë se kjo situatë është e papërballueshme për ta. Aksioni u ndërmor pak ditë pas dështimit të gjetjes së një zgjidhjeje për zbatimin e Rregullores së BQK-së në veri, raporton Koha.net.

Policia e Kosovës ka mbyllur të hënën gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta. Sipas zëvendëskomandantit të Policisë për veri, aksioni u zhvillua pas dyshimeve se disa biznese po zhvillojnë veprimtari të kundërligjshme.

“Dyshohet për çdo veprimtari të mundshme kriminale, nga mosregjistrimi i biznesit, evazioni fiskal e gjëra tjera. Policia gjendet në këto pika me ATK-në dhe se mund të përfshihet më vonë edhe njësiti i krimeve ekonomike”, ka theksuar zëvendësdrejtor i Policisë në veri, Veton Elshani.

E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se mbyllja e këtyre njësive është në kuadër masave për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri.

“Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të së ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Aksioni i Policisë së Kosovës është monitoruar nga pjesëtarët e EULEX-it dhe të KFOR-it.

Ndërkaq disa qytetarë serbë, bashkë me zyrtarë të Partisë opozitare “Demokracia Serbe” zhvilluan një aksion simbolik duke hedhur miell, vezë e gjëra të tjera ushqimore para automjetit të parkuar të Policisë para ndërtesës së bankës.

“Do të detyrohemi që t’i marrim tërheqim pagesat me dinarë në Rashkë e vende të tjera në Serbi. Kohët e fundit ka pasur sasi më të vogla të dinarit që është sjellë këtu, por tash po duan t’i marrin të gjitha. Kjo vë në pikëpyetje mbijetesën e serbëve në Kosovë”, ka deklaruar Stefan Veljkoviq nga Demokracia Serbe.

Ndërkaq drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, aksionin e ka ndërlidhur me dështimin që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Sipas urdhrit personal të Albin Kurtit, në ora 15:15 policia ka bastisur të gjitha degët e Bankës së Kursimeve Postare dhe Departamentit të Thesarit në të katër komunat në veri të Kosovës. Kurti ka pritur që të kalojë dialogu dhe pasi përjetoi dështimin e mos anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërmori lëvizje të re të njëanshme me synimin që të nxisë trazira dhe kaos”, ka vlerësuar Petkoviq.

Ka reaguar edhe kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Përmes Bankës Kursimore distribuohen pagat, pagesat për skemat sociale dhe beneficionet tjera që Serbia i ndan për serbët e Kosovës në dinarë.

E aksioni u ndërmor pak ditë pasi dështoi edhe takimi i shtatë në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket dinarit në mesin e komunitetit serb.

Sipas rregullores së BQK-së, që u miratua në shkurt të këtij viti, valuta me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme është vetëm Euro.